Nga një demo e harruar në hit botëror/ “Gut genug” pushton rrjetet dhe Kupën e Botës

Një këngë e krijuar fillimisht si një demo e harruar është shndërruar në një fenomen global, duke pushtuar rrjetet sociale, klasifikimet muzikore dhe madje edhe tribunat e Kupës së Botës. Bëhet fjalë për “Gut genug” (“Mjaftueshëm e mirë”), një bashkëpunim mes dyshes gjermane Blumengarten dhe reperes Shirin David, i prodhuar nga ekipi berlinez KitschKrieg.
Kënga, e cila përcjell një mesazh për pranimin e vetes, vetëbesimin dhe mbështetjen emocionale, është bërë virale pavarësisht se shumica e dëgjuesve jashtë Gjermanisë nuk e kuptojnë gjuhën. Refreni i saj është përdorur në miliona video në TikTok dhe Instagram, ndërsa është shpërndarë edhe nga emra të njohur si Lizzo, Doja Cat dhe Wiz Khalifa.
Producentët tregojnë se “Gut genug” u zbulua rastësisht mes dhjetëra materialeve të papublikuara të grupit Blumengarten. Pas disa ndryshimeve në studio, kënga u publikua në maj dhe brenda pak javësh u kthye në një hit ndërkombëtar.
Sipas krijuesve, suksesi i saj dëshmon se emocionet mund të kapërcejnë çdo barrierë gjuhësore. Edhe përdoruesit që nuk flasin gjermanisht kanë krijuar versione humoristike të refrenit, duke e bërë këngën edhe më popullore në internet.
Popullariteti i “Gut genug” ka kaluar edhe në sport. Kënga është përdorur nga tifozë në Kupën e Botës, ndërsa video me kolonën e saj zanore kanë publikuar edhe kombëtarja e Brazilit dhe futbollistë të Gjermanisë.
Ndërkohë, “Gut genug” ka hyrë në klasifikimin Billboard Global 200, duke arritur vendin e 129-të, një rezultat që sipas kompanisë diskografike Sony nuk ishte arritur prej vitesh nga një këngë në gjuhën gjermane. Në Gjermani, kënga ka qëndruar në krye të klasifikimeve, ndërsa është renditur gjithashtu në vendin e parë në listën globale të Shazam.
Tashmë producentët po punojnë për një remix amerikan të hitit, me synimin për të përfshirë edhe artistë të njohur ndërkombëtarë, ndërsa “Gut genug” vazhdon të konfirmohet si një nga fenomenet më të mëdha muzikore të vitit./DPA NEWS



