Franca përfshihet nga flakët / Mbi 1 mijë hektarë tokë të djegura, qindra banorë evakuohen

Zjarret masive kanë përfshirë jugun e Francës, duke djegur më shumë se 1,000 hektarë tokë dhe detyruar autoritetet të evakuojnë qindra banorë, ndërsa qindra zjarrfikës vijojnë luftën me flakët në kushte të vështira.
Vatra më e madhe u regjistrua në komunën Pouzols-Minervois, në departamentin Herault, nga ku zjarri u përhap drejt Aude, duke shkrumbuar mbi 800 hektarë. Edhe pse flakët janë vënë kryesisht nën kontroll, autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta.
Si masë sigurie, rreth 350 banorë u evakuuan nga zonat e rrezikuara. Sipas autoriteteve franceze, nuk janë dëmtuar banesa, por disa vreshta kanë pësuar dëme të konsiderueshme.
Dy vatra të tjera zjarri shpërthyen në veri të Marsejës. Në Rognac, flakët u shuan pasi përfshinë rreth 50 hektarë, ndërsa në Lancon-Provence operacionet vijojnë për të neutralizuar një zjarr që ka djegur rreth 200 hektarë tokë.
Për shkak të përhapjes së flakëve pranë infrastrukturës hekurudhore, shërbimi rajonal i trenave TER mes Marsejës dhe Miramas u pezullua përkohësisht, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.


