(VIDEO) I dënuar me 13 vite burg në Itali/ Kërkohej për shfrytëzim pr*stitucioni dhe skll*vërim, arrestohet në Tiranë Bekim Nikolli

Një 48-vjeçar i dënuar me 13 vite burg nga drejtësia italiane është arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Operacioni u zhvillua nga strukturat FAST Albania pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet italiane.

Shërbimet e Sektorit për Kërkimin në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale lokalizuan në zonën e Institutit Bujqësor në Tiranë shtetasin Bekim Nikolli dhe e arrestuan përkohësisht, në pritje të procedurave të ekstradimit.

Nikolli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Napolit e kishte dënuar në nëntor të vitit 2021 me 13 vite burg për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Skllavërimi/Nënshtrimi”.

Sipas të dhënave të autoriteteve italiane, ai dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shfrytëzuar për prostitucion shtetase të cilat dyshohet se ishin futur në mënyrë të paligjshme në Itali.

Hetimet italiane kanë evidentuar gjithashtu dyshime se ndaj viktimave ushtrohej dhunë dhe kontroll për të rritur përfitimet nga aktiviteti kriminal.

Arrestimi u realizua në kuadër të bashkëpunimit mes FAST Albania dhe FAST Itali, ndërsa Interpol Tirana vijon procedurat ligjore për dërgimin e tij drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e caktuar nga gjykata.

EMISIONET