Interi në alarm/ Transferimi i Khalailit vihet në pritje pas problemeve me vizitat mjekësore

Interi ka hasur një pengesë në përpjekjen për të mbyllur një nga afrimet e merkatos së verës. Transferimi i Anan Khalailit nga Union Saint-Gilloise është pezulluar përkohësisht pas disa problemeve të shfaqura gjatë vizitave mjekësore.
Marrëveshja për mbrojtësin e krahut, me vlerë rreth 25 milionë euro plus bonuse, nuk është finalizuar ende. Sipas mediave italiane, Komiteti Olimpik Kombëtar i Italisë (CONI) ka kërkuar ekzaminime të tjera për të vlerësuar më në detaje gjendjen fizike të lojtarit.
Nëse rezultatet përfundimtare nuk japin garancitë e nevojshme, Interi mund të detyrohet të heqë dorë nga transferimi dhe të rikthehet në treg për të gjetur një zëvendësues për Denzel Dumfries.
Një nga alternativat që pëlqehet nga klubi zikaltër është Guela Doué i Strasbourgut. Mbrojtësi 22-vjeçar zhvilloi një sezon pozitiv në Francë, ku luajti 34 ndeshje, shënoi dy gola dhe dhuroi gjashtë asistime. Profili i tij shihet i përshtatshëm për shkak të forcës fizike dhe shpejtësisë, por çmimi prej rreth 30 milionë eurosh mund të vështirësojë negociatat.
Në listën e Interit ndodhen edhe emra më me eksperiencë si Dodo i Fiorentinës dhe Nahuel Molina i Atletico Madridit. Të dy njihen për paraqitjet e tyre në nivele të larta dhe kontratat që skadojnë pas një viti mund të ndikojnë në bisedimet mes klubeve.
Një tjetër opsion është Givairo Read i Feyenoordit. Mbrojtësi 20-vjeçar konsiderohet një talent me potencial të madh dhe më herët ka tërhequr interesin e klubeve si Bayern Munich dhe Manchester City. Një dëmtim sezonin e kaluar uli ritmin e interesimit, ndërsa Nottingham Forest raportohet se ka paraqitur një ofertë rreth 20 milionë euro.
Për momentin, Interi po pret përgjigjen përfundimtare mbi gjendjen e Khalailit përpara se të vendosë nëse do të vazhdojë me marrëveshjen apo do të drejtojë vëmendjen te një tjetër mbrojtës krahu.


