Rrezik për kalimtarët në Durrës, bien copa suvaje pranë Gjykatës. Ndërhyjnë zjarrfikësit, problemet me fasadat vazhdojnë

Fasadat e amortizuara të disa godinave në Durrës vijojnë të paraqesin rrezik për qytetarët. Incidenti më i fundit u regjistrua përgjatë rrugës "Aleksandër Goga", ku një pjesë suvaje u shkëput nga një pallat pranë godinës së gjykatës.
Pas ngjarjes, në zonë u vendos një perimetër sigurie, ndërsa zjarrfikësit nisën ndërhyrjen për të larguar pjesët që rrezikojnë të bien dhe për të shmangur incidente të tjera.
Pak kohë më parë, një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në godinën e Gjykatë-Prokurorisë së Durrësit, ku copa nga fasada u shkëputën dhe ranë në trotuar.
Edhe sot pranë kësaj godine vijon të jetë i vendosur një perimetër i improvizuar sigurie, ndërsa ende nuk janë marrë masa për riparimin e saj.
Rënia e suvasë nga fasadat është kthyer në një problem të përsëritur në zona të ndryshme të qytetit, përfshirë edhe godinat përgjatë akseve kryesore. Pavarësisht incidenteve të vazhdueshme, shumë prej objekteve vijojnë të mbeten pa ndërhyrje, duke krijuar rrezik për këmbësorët.


