DR*GA "SHESHIT"/ 700 doza gati për plazhistët, zbulohet baza e narkotikëve në Vlorë. Arrestohen 5 persona, dy prej tyre italianë
Një operacion antidrogë është finalizuar në Vlorë, ku pesë persona kanë rënë në prangat e policisë pasi dyshohet se merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona turistike të qytetit.
Operacioni i koduar “WEST” u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Të arrestuarit janë shtetasit N.K., 20 vjeç, R.H., 20 vjeç, M.M., 23 vjeç, banues në Lezhë, si dhe C.L., 42 vjeç, banues në Romë të Italisë dhe C.S., 37 vjeç, banues në Palermo.
Sipas policisë, grupi u lokalizua në zonën e Zvërnecit, ndërsa gjatë kontrollit fizik, kontrollit të automjetit dhe banesës ku qëndronin në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, të ndara dhe të përgatitura për shitje.
Gjithashtu, u sekuestrua një shumë parash e dyshuar se ishte përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe 8 telefona celularë që do t’i nënshtrohen verifikimeve gjatë hetimit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se personat e arrestuar shpërndanin lëndë narkotike në plazhe dhe ambiente argëtimi në qytetin e Vlorës, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Hetimet vijojnë për të zbardhur më tej aktivitetin e dyshuar dhe rolin e secilit prej personave të arrestuar.


