Britney Spears "thyen" heshtjen pas pamjeve virale: Njerëzit shohin vetëm dy sekonda të jetës sime

Britney Spears ka reaguar pas kritikave të shumta që mori në rrjetet sociale, pasi u filmua duke qëndruar jashtë automjetit gjatë një ndalese në trafikun e Los Angeles.
Këngëtarja 44-vjeçare u bë pjesë e diskutimeve pasi u fotografua në autostradën 101 pranë Studio City, teksa ishte e dalë përmes sunroof-it të një Mercedesi të zi, ndërsa automjetet ishin të ndaluara në trafik.
Pas reagimeve, Spears publikoi në Instagram një fotografi ku shfaqej e shtrirë mbi çatinë e makinës me krahët hapur. Në mesazhin e saj ajo shkroi se ajo që njerëzit shohin është vetëm një moment i shkurtër dhe se realiteti i saj është shumë më i gjerë sesa një pamje e shkëputur.
“Një sekondë nga ajo që njerëzit e quajnë çmenduri nuk tregon ditët dhe orët e jetës sime. Asgjë nuk është siç duket”, shkroi këngëtarja, duke shtuar me humor se ndoshta duhet ta bëjë këtë më shpesh.
Sipas burimeve pranë saj, Spears kishte dalë nga sunroof-i vetëm për pak çaste për të parë trafikun, pasi automjetet kishin ndaluar. Sipas tyre, veprimi ishte një moment spontan dhe nuk kishte si qëllim shkeljen e rregullave.
Burimet thanë se këngëtarja e kishte bërë diçka të ngjashme edhe gjatë fëmijërisë së saj dhe se i pëlqen ndjesia e ajrit të verës gjatë udhëtimeve.
Spears ka qenë shpesh në vëmendjen e publikut gjatë muajve të fundit. Në mars ajo u përfshi në një incident ligjor për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit në Kaliforni, ndërsa në prill qëndroi për një periudhë të shkurtër në një qendër rehabilitimi, ku ishte shtruar me dëshirën e saj.
Pas kësaj periudhe, persona pranë artistes thanë se ajo po kalon një fazë më të qetë dhe po përpiqet të nisë një kapitull të ri në jetën e saj.


