Tatimet kontrollojnë 129 individë me pasuri të larta/ Zbulohen 770 mijë euro të padeklaruara

Tatimet kanë nisur një valë kontrollesh ndaj individëve me pasuri të larta, duke zbuluar deri tani 770 mijë euro të ardhura të padeklaruara. Procesi i verifikimit vijon për qindra persona me risk të lartë për shmangie të detyrimeve tatimore.
Nga viti 2025 deri në fund të qershorit të këtij viti, Administrata Tatimore ka kontrolluar 129 individë me pasuri të konsiderueshme, ndërsa hetimet për rastet e evidentuara vazhdojnë.
Kontrollet janë pjesë e Agjendës së Reformave dhe synojnë verifikimin e burimeve të të ardhurave, pasurive dhe detyrimeve tatimore të individëve që paraqesin risk të lartë për mosdeklarim.
Sipas planit të administratës tatimore, deri në fund të vitit 2026 pritet të auditohen 200 individë me pasuri të larta.
Përveç 129 kontrolleve të përfunduara, janë hapur procedura verifikimi edhe për 144 individë të tjerë, me kontrolle të nisura gjatë këtij viti.
Administrata Tatimore po përdor edhe të dhëna nga burime të treta për të krahasuar pasuritë, të ardhurat e deklaruara dhe shpenzimet reale, me qëllim identifikimin e rasteve ku detyrimet tatimore nuk janë përmbushur plotësisht.
Procesi pritet të vijojë edhe në muajt e ardhshëm, me fokus te individët me diferenca të mëdha mes pasurisë së deklaruar dhe të ardhurave të raportuara.


