23 hektarë tokë në Dhërmi të blera për 1.6 milionë euro/ SPAK çon dosjen ndaj tre spanjollëve në GJKKO (EMRAT)

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimin ndaj katër personave, tre shtetas spanjollë dhe një shtetase shqiptare, të dyshuar për pastrim parash përmes disa shoqërive të regjistruara në Shqipëri.
Dosja penale është dërguar në Gjykatën e Posaçme, ku kërkohet gjykimi i tyre për pastrim parash, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të grupit kriminal.
Sipas hetimeve të SPAK, tre shoqëri të krijuara në Shqipëri gjatë vitit 2024 dyshohet se janë përdorur për të qarkulluar fonde me origjinë të dyshuar kriminale. Kompanitë rezultojnë të jenë regjistruar në të njëjtën adresë, por pa zhvilluar aktivitet ekonomik real.
Hetimi ka zbuluar lëvizje financiare me vlera të larta, kreditime bankare që tejkalonin faturimet e deklaruara, si dhe blerje pasurish të paluajtshme dhe automjetesh me vlera të konsiderueshme.
Një pjesë e fondeve dyshohet se është përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë. Vlera e këtyre pasurive arrin rreth 1.6 milionë euro.
Sipas SPAK, rolin drejtues në këtë skemë dyshohet se e kishte Domingo Iriarte, i cili administronte tre shoqëritë dhe orientonte qarkullimin e fondeve.
Dy të pandehurit, Mihalea Manole dhe Alvaro Castillo, dyshohet se kanë ndihmuar në krijimin e një pamjeje të ligjshme për dy prej shoqërive, ndërsa Doris Pere dyshohet se ka kryer veprime administrative dhe bankare që lidhen me funksionimin e tyre në Shqipëri.
Hetimi është zhvilluar edhe me ndihmën e informacionit të ardhur nga autoritetet spanjolle, ku disa prej personave nën hetim rezultojnë të përfshirë në procedime për mashtrim.
Tashmë çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, e cila do të vendosë për vijimin e procesit gjyqësor ndaj të pandehurve.


