Nga faturat te kontratat e fshehta/ Teliti tregon se si po mbrohen konsumatorët shqiptarë nga abuzimet e përditshme

Erida Teliti, përfaqësuese e Qendrës së Konsumatorit Shqiptar, ishte e ftuar në emisionin “Epiqendër” në Ora News, ku foli për sfidat me të cilat përballen qytetarët në mbrojtjen e të drejtave të tyre si konsumatorë dhe për projektin e ri të mbështetur nga Bashkimi Europian.

Qendra e Konsumatorit Shqiptar prej më shumë se një dekade ofron asistencë ligjore dhe teknike për qytetarët, duke trajtuar problematika që lidhen jo vetëm me sigurinë ushqimore, por edhe me produktet joushqimore, kontratat dhe shërbimet që ofrohen nga operatorë publikë dhe privatë.

“Kur flasim për mbrojtjen e konsumatorëve, nuk i referohemi vetëm sigurisë ushqimore dhe produkteve ushqimore, por në tërësi produkteve joushqimore, kontratave të ndryshme që konsumatorët lidhin dhe shërbimeve që marrin nga operatorë të ndryshëm”, u shpreh Erida Teliti.

Sipas saj, puna e qendrës nuk lidhet vetëm me zgjidhjen e rasteve individuale, por edhe me mbrojtjen e interesave kolektive të konsumatorëve.

Një ankesë e vetme mund të shërbejë për të evidentuar një problem që prek një numër më të madh qytetarësh dhe të kërkojë ndërhyrje më të gjerë.

“Fokusi është pikërisht tek mbrojtja e interesave kolektivë, që do të thotë se si rezultat i një ankese që i adresohet Qendrës së Konsumatorit Shqiptar, mbrohen në fakt interesat e të gjithë konsumatorëve”, tha Teliti.

Në këtë drejtim, një projekt i ri i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian synon të forcojë rolin e organizatave të shoqërisë civile dhe bashkëpunimin me institucionet publike për mbrojtjen e konsumatorëve.

Projekti do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve, trajnime dhe asistencë teknike, me qëllim që qytetarët të jenë më të informuar për të drejtat e tyre dhe institucionet të kenë më shumë mundësi për të reaguar ndaj problematikave të tregut.

Qendra e Konsumatorit Shqiptar vijon të trajtojë ankesa që lidhen me kontrata të paqarta, kushte të padrejta dhe probleme me shërbime të ndryshme, duke synuar që mbrojtja e konsumatorit të mos mbetet vetëm një çështje individuale, por një proces që prek të gjithë shoqërinë.

 

EMISIONET