Xhixho kritikon qeverinë për shëndetësinë: Mungojnë ilaçet dhe pajisjet, qytetarët detyrohen t’i drejtohen privatit!

Xhixho kritikon qeverinë për shëndetësinë:

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur akuza ndaj qeverisë për gjendjen e sistemit shëndetësor në vend, duke pretenduar se mungesat në spitale po rëndojnë mbi pacientët.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Xhixho u shpreh se institucionet shëndetësore përballen me probleme të shumta, duke përmendur ndër të tjera situatën në Spitalin e Traumës, ku sipas saj sallat e kirurgjisë vijojnë të jenë jashtë funksionit për shkak të rikonstruksionit.

Ajo deklaroi gjithashtu se në shërbimin e Neurologjisë nuk funksionon angiografia cerebrale, ndërsa pacientët detyrohen të përballen me kosto të larta në sektorin privat. Sipas saj, mungesa e medikamenteve në Onkologjik, përfshirë Avastinën, është një tjetër problem që prek pacientët me sëmundje të rënda.

“Shëndetësia nuk është luks dhe as privilegj. Është një e drejtë themelore”, shkroi Xhixho, duke akuzuar qeverinë se nuk po garanton shërbimet e nevojshme për qytetarët.

Deklaratat e deputetes janë pjesë e kritikave të opozitës ndaj menaxhimit të sistemit shëndetësor, ndërsa qeveria ka mbrojtur vazhdimisht politikat e saj në këtë sektor dhe ka deklaruar se ka rritur investimet në spitale, pajisje dhe shërbime mjekësore.

EMISIONET