"Konsumatorët nuk do të jenë më vetëm"/ Doçi: Projekti i ri fuqizon qytetarët dhe organizatat kundër abuzimeve
Myftar Doçi, i ftuar në emisionin “Epiqendër” në Ora News, foli për një projekt të ri që synon fuqizimin e shoqërisë civile në mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e rolit të organizatave në përballjen me problematikat që hasin qytetarët në treg.
Përmes trajnimeve dhe asistencës teknike, organizatat joqeveritare po pajisen me njohuri dhe mjete konkrete për të ndihmuar qytetarët në çështje që lidhen me kontratat konsumatore, sigurinë ushqimore dhe trajtimin e ankesave.
“Një nga shtyllat kryesore të projektit ishte fuqizimi i shoqërisë civile në mënyrë që ajo ta luajë sa më efektivisht rolin e saj edhe përsa i përket mbrojtjes së konsumatorit”, u shpreh Myftar Doçi.
Në fokus të programit kanë qenë disa kategori organizatash. Një grup i rëndësishëm kanë qenë organizatat që ofrojnë ndihmë juridike falas, të cilat janë trajnuar për çështjet që lidhen me kontratat konsumatore dhe asistencën ligjore për qytetarët.
Një tjetër fushë e trajtuar ka qenë bujqësia dhe artizanati, ku organizatat janë përfshirë në trajnime për sigurinë ushqimore, etiketimin, paketimin dhe mënyrën e prezantimit të produkteve në treg.
“Targetuam organizatat e shoqërisë civile që ofrojnë ndihmë juridike falas për qytetarët dhe me ta u zhvillua një program trajnimi për mbrojtjen e konsumatorit dhe kontratat konsumatore. Më tej u përqendruam edhe te organizatat që punojnë në bujqësi dhe artizanat, me fokus sigurinë ushqimore, etiketimin dhe paketimin”, tha Doçi.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe organizatave rinore, të cilat po përgatiten për të mbledhur ankesat e qytetarëve dhe për t’i përcjellë ato pranë institucioneve përgjegjëse.
Programi është zhvilluar përmes trajnimeve interaktive dhe mentorimit, me synimin që njohuritë e marra të zbatohen në praktikë nga organizatat pjesëmarrëse.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e projektit ka qenë riorganizimi i rrjetit për mbrojtjen e konsumatorit. Ky rrjet, i krijuar më herët, është ristrukturuar me një strategji afatmesme dhe tashmë zhvillon takime periodike për problematika të ndryshme që lidhen me të drejtat e konsumatorëve.
“Menduam që ta rivitalizojmë këtë rrjet, t’i japim formë dhe ta zhvillojmë organizativisht. Është bërë strukturimi i rrjetit dhe është hartuar një strategji afatmesme për zhvillimin e tij”, u shpreh Myftar Doçi.
Përmes këtij organizimi, synohet që shoqëria civile të ketë një rol më aktiv në evidentimin e problemeve, ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe kërkimin e zbatimit të të drejtave të konsumatorëve nga institucionet përgjegjëse.


