"Asnjë ankesë në bashki për produkte të rrezikshme" / Dule zbulon arsyen pse qytetarët heshtin

Kejsi Dule, e ftuar në emisionin “Epiqendër” në Ora News, foli për gjetjet e një studimi të kryer mbi mënyrën se si bashkitë trajtojnë ankesat e konsumatorëve dhe arsyet pse qytetarët ende nuk i drejtohen institucioneve për problemet që hasin.

Studimi i Qendrës Konsumatori Shqiptar ka nxjerrë një të dhënë të veçantë: pjesa më e madhe e bashkive kanë raportuar se nuk kanë marrë asnjë ankesë nga konsumatorët për produkte apo shërbime problematike.

Kjo situatë ngre pikëpyetje nëse tregu funksionon pa probleme apo nëse qytetarët nuk janë ende të informuar për të drejtat dhe mënyrat e mbrojtjes së tyre.

“Në lidhje me pyetjen nëse kishin trajtuar ankesa dhe si i kishin trajtuar këto ankesa, përgjigjet në pjesën më të madhe të bashkive të vendit ishin se nuk kishin marrë ende asnjë ankesë nga konsumatorët”, u shpreh Kejsi Dule.

Sipas saj, mungesa e ankesave nuk do të thotë domosdoshmërisht se qytetarët nuk përballen me probleme në treg. Një nga arsyet kryesore lidhet me mungesën e informacionit mbi të drejtat që kanë dhe institucionet ku mund të drejtohen.

“Kjo na bën të mendojmë: është tregu kaq i mirë rregulluar dhe ka vetëm mallra dhe shërbime në standarde e cilësore, apo konsumatorët nuk janë akoma të informuar?”, tha Dule.

Problematikat që prekin konsumatorët nuk lidhen vetëm me sigurinë ushqimore. Përballë qytetarëve janë edhe produkte joushqimore, kontrata të ndryshme shërbimesh, marrëveshje bankare, lodra për fëmijë, shërbime transporti apo elementë të tjerë që ndikojnë në sigurinë dhe cilësinë e jetës së përditshme.

Sipas ekspertëve, një pjesë e qytetarëve reagojnë vetëm kur përballen me pasoja të drejtpërdrejta, ndërsa shumë probleme të tjera mbeten të paraportuara për shkak të mungesës së informacionit.

Forcimi i ndërgjegjësimit të konsumatorëve dhe rritja e rolit të institucioneve vendore mbeten hapa të rëndësishëm për një sistem më funksional të mbrojtjes së qytetarëve.

 

EMISIONET