Ligji për zonat e mbrojtura/ Karpata: Shqipëria rrezikon të shkatërrojë pasuritë natyrore për një model turizmi të paqëndrueshëm!

Ligji për zonat e mbrojtura/ Karpata: Shqipëria rrezikon të

Debati për ndryshimet ligjore mbi zonat e mbrojtura dhe zhvillimin turistik ka sjellë në vëmendje përplasjen mes interesave ekonomike dhe ruajtjes së mjedisit. Pedagogu Gent Karpata, në një intervistë për “Ora News”, kritikoi qasjen e qeverisë ndaj zhvillimit territorial, duke paralajmëruar se ndërtimet në zona me vlera të larta natyrore mund të dëmtojnë përfundimisht potencialin turistik të vendit.

Sipas Karpatas, një nga çështjet kryesore lidhet me modelin ekonomik që Shqipëria po ndjek në turizëm, duke ngritur pikëpyetje nëse vendi po synon një zhvillim ku përfitojnë qytetarët shqiptarë apo një model ku ata vetëm shesin tokën dhe burimet natyrore.

“Shitja e dheut kujt i ndodh? Ndodh kryesisht me të huajt. Pyetja është se cili do të jetë modeli ekonomik i zhvillimit të turizmit në Shqipëri. A do të jetë një zhvillim ku shqiptarët vetëm shesin tokë dhe punë, apo do të jenë edhe investitorë që përfitojnë nga ky zhvillim?”, u shpreh ai.

Pedagogu solli si shembull edhe problematikat mjedisore që shoqëruan ndërtimin e rrugës Fier–Vlorë, e cila sipas tij ishte bllokuar për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin në zona të mbrojtura nga konventa ndërkombëtare, përfshirë atë të Ramsarit.

Duke komentuar qëndrimet e kryeministrit mbi zhvillimin e pronave private, Karpata tha se fakti që një tokë është private nuk do të thotë automatikisht se ajo duhet të ndërtohet.

“Nuk është e thënë që çdo pronë private duhet të zhvillohet. Zhvillimi varet nga planifikimi. Duhet të përcaktohet se ku mund të ndërhyhet, si mund të ndërhyhet dhe në çfarë përmasash”, deklaroi ai.

Sipas tij, zonat natyrore kanë vlerë pikërisht për shkak të elementëve që mbartin dhe ndërtimet masive mund t’ua heqin këtë veçanti.

“A duam të shkatërrojmë habitate natyrore për një fantazi se aty mund të zhvillohet turizmi? Një zonë është e bukur sepse ka këto elementë natyrorë. Nëse ndërtojmë atje, i kemi shkatërruar këto elementë dhe ajo nuk është më një pasuri që mund t’i shtohet industrisë së turizmit”, tha Karpata.

Ai kritikoi gjithashtu përqendrimin e vendimmarrjes te kryeministri, duke argumentuar se çështjet e zhvillimit territorial duhet të trajtohen nga ekspertë dhe institucione teknike, jo vetëm përmes vendimeve politike.

Sipas tij, ndryshimet ligjore të ndërmarra vitet e fundit i kanë dhënë qeverisë kompetenca të mëdha për ndërhyrje në territore me potencial ekonomik dhe turistik.

“Territori i Shqipërisë nuk mund të jetë ajo që një njeri e ka në mendje, edhe nëse ai është kryeministri, sepse kryeministri është sot në detyrë dhe nesër mund të mos jetë”, u shpreh ai.

Debati për zonat e mbrojtura vijon të mbetet një nga çështjet më të diskutuara mes mbështetësve të zhvillimit turistik dhe atyre që kërkojnë mbrojtjen e mjedisit. Sipas ekspertëve të fushës, sfida kryesore mbetet gjetja e një ekuilibri mes investimeve ekonomike dhe ruajtjes së pasurive natyrore që përbëjnë një nga asetet më të rëndësishme të Shqipërisë.

Gent Karpata: Dhe shitja e dheut kujt i ndodh? Ndodh kryesisht me të huajt ose përgjithësisht me të huajt. Pra, ka dhe një pamje të modelit ekonomik. Kush do jetë modeli ekonomik i zhvillimit të turizmit në Shqipëri? Se jemi duke folur për një çështje turistike ose për një zonë e cila mendohet se do jetë zhvillimi i turizmit në të ardhmen. A do jetë një zhvillim ku ne, shqiptarët vetëm shesin tokë, shesin punë, apo do jenë dhe investitorë që të përfitojnë nga ky zhvillim? Pra është një çështje shumë e gjerë, po patjetër është dhe një çështje mjedisore, nuk mund ta mohojmë zonën.

Mua më kujtohet, për shembull, rruga që lidh Fierin me Vlorën, rruga e pavarësisë, quhej atëherë, u bllokua për rreth një vit, zhvillimi i saj, në vitet 2011-2012, ekzaktësisht për shkak të këtyre shqetësimeve mjedisore, sepse zona është një zonë e mbrojtur nga konventa Ramsar dhe konventa të tjera, që janë mbi ligjet shqiptare. Për të ardhur te kryeministri. Për të ardhur te kryeministri, kryeministri ka një pozicion shumë të gabuar, edhe në lidhje me protestën, dhe në lidhje me kuptimin e zhvillimit të pronësisë. Fakti që kemi të bëjmë me një pronë private, sikurse ishte argumenti që ju sollët i kryeministrit, nuk do të thotë që patjetër duhet të zhvillohet.

Nuk është e thënë, zhvillimi varet nga planifikimi. Që të zhvillojmë një zonë, duhet ta planifikojmë atë më parë dhe duke e planifikuar ne kuptojmë kujt, ku mund të ndërhyhet, si mund të ndërhyhet, në çfarë vëllimesh ndërtimore mund të ndërhyhet e kështu me radhë. Pra, kryeministri është prej vitesh në një pozicion shumë të gabuar që po e dëmton shumë Shqipërinë, në të ardhmen, se ne flasim pafundësisht për zhvillimin e qëndrueshëm, po çfarë do të thotë në thelb? Me terma, me fjalë të bukura flasin të gjithë, problemi është çfarë konkretisht. A është ky rasti?

Pikërisht, ky është rasti. A duam të shkatërrojmë habitate natyrore për një fantazi se atje mund të zhvillohet turizmi? Kjo është një baraspeshë ose një peshore që duhet parë nga kush anë shkon. Duhet ta zhvillojmë patjetër këtë zonë, apo mund ta shtyjmë këtë zonë drejt një zhvillimi tjetër, mbi të gjitha drejt një territori tjetër. Mbi të gjitha duhet të kuptojmë dhe një gjë, që një zonë është e bukur pikërisht sepse ka këto elementë natyrorë, nuk po hyj tek elementët kush janë. Nëse ne ndërtojmë atje, praktikisht ia kemi hequr, ia kemi shkatërruar këto elementë natyrore dhe s'është më e bukur ose s'është më një element që mund t'i shtohet, le të themi, industrisë së turizmit në vend.

Po e kuptoj, shiko duhet të kuptojmë një gjë qëduam s'duam do shkojmë tek thelbi i gjësë. Domethënë, duhet të kuptojmë që ne jemi në një republikë fatkeqësisht, e cila ka një përqendrim të madh pushteti. Këto janë çështje që zakonisht nuk është se merret kryeministri me këto çështje, me këto çështje merren teknikët. Kryeministri dhe stafi i tij i ngushtë, por edhe gjithë qeveria, merr vendime politike, nuk merret me qysh do zhvillohet, si do zhvillohet. E bëra këtë parantezë për të kuptuar që situata në të cilën ne ndodhemi është pikërisht për shkak të dëshirës së kryeministrit për të pasur një pushtet të jashtëzakonshëm për të bërë gjëra.

Të tipit, në rastin konkret për të zhvilluar turizmin në një madhësi shumë të madhe, për të zhvilluar ndërtimtarinë. Ne kemi kulla te Tirana dhe ndërtimtari kudo. Të gjitha këto nuk është se i përkasin kryeministrit. Kryeministri i ka marrë, jo rastësisht, për të ndërtuar atë, në rastin më të mirë, një vizion të tijin personal se si do të zhvillohet Shqipëria. Mirëpo Shqipëria në kuptimin territorial dhe zhvillimor nuk mund të jetë ajo që e ka një njeri në mendje, qoftë ai kryeministri, sepse kryeministri është sot kryeministër, nesër nuk është.

Në këtë kontekst të kuptimit të tij mbi gjënë, ai ka bërë disa ligje, disa ndryshime të tjera ligjore të cilat ekzaktësisht i japin atij pushtet për të vepruar atje ku nuk do ishte normale të veprohej. Sikurse janë dhe ligjet që ju zutë në gojë, por janë dhe ligje të tjera.

Siç sikurse mund të ishte për shembull ligji që i ndan investitorët në nivele të caktuara, ose ligji sipas të cilit qeveria ose një institucion i qeverisë ka të drejtë të fali ose të japi me qira territore të mëdhaja dhe hapësira të mëdhaja të tokës shqiptare, qoftë ajo truall në urbane e kam fjalën, qoftë ajo në zona të pazhvilluara që kanë potencial turizmin. Mirëpo ky kontekst duket që është kuptuar nuk është se donte ndonjë zgjuarsi të madhe, është kuptuar edhe nga protestuesit dhe ata kërkojnë ndryshimin ose mosndryshimin e disa ligjeve, disa ndonjërin dhe shfuqizim.

EMISIONET