Rutte lavdëron Trump për NATO-n: Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen

Rutte lavdëron Trump për NATO-n: Evropa duhet të marrë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka vlerësuar rolin e Donald Trump në rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen nga vendet aleate dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake të NATO-s.

Në një intervistë për podcastin e Politico, gjatë Samitit të NATO-s në Ankara, Rutte u shpreh se kërkesat e Trump ndaj vendeve anëtare për më shumë investime në mbrojtje kanë ndikuar në një ndryshim të rëndësishëm brenda Aleancës.

“ Më pëlqen ky njeri. Besoj se ajo që po bën për NATO-n është një lajm shumë i mirë”, u shpreh Rutte, duke mbështetur gjithashtu vendimin e Trump për nisjen e luftës kundër Iranit.

Sipas kreut të NATO-s, presidenti amerikan ka arritur një objektiv që liderët amerikanë e kanë kërkuar prej dekadash: një ndarje më të barabartë të barrës financiare mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane.

Rutte tha se Samiti i këtij viti pritet të sjellë një rritje të madhe të investimeve në fushën e mbrojtjes dhe një ndryshim të rëndësishëm për të ardhmen e Aleancës.

Gjatë dy viteve të fundit, vendet anëtare të NATO-s, përveç SHBA-së, janë angazhuar për programe të reja mbrojtjeje me vlerë rreth 250 miliardë dollarë. Sipas Rutte, kjo tregon përpjekjet e Evropës për të rritur kapacitetet e saj ushtarake dhe për të marrë më shumë përgjegjësi.

“Duhet të ndërtojmë një NATO të qëndrueshme, e cila të mos varet në mënyrë të tepruar nga Shtetet e Bashkuara. Një Evropë më e fortë brenda një NATO-je më të fortë”, tha Rutte.

Ai lidhi rritjen e shpenzimeve ushtarake edhe me kërcënimin që paraqet Rusia dhe situatën në Ukrainë. Sipas tij, Aleanca duhet të jetë e përgatitur përballë sfidave të reja, përfshirë forcimin ushtarak të Kinës dhe bashkëpunimin mes disa shteteve kundërshtare të Perëndimit.

Rutte foli edhe për kritikat e Trump ndaj aleatëve evropianë lidhur me luftën kundër Iranit. Presidenti amerikan kishte shprehur pakënaqësi për mungesën e mbështetjes nga disa vende të Evropës.

Megjithatë, kreu i NATO-s tha se vendet evropiane kanë luajtur një rol të rëndësishëm në operacionet amerikane, duke përmendur përdorimin e bazave dhe infrastrukturës evropiane për mbështetjen e misioneve ushtarake.

Sipas tij, pavarësisht mosmarrëveshjeve në çështje të caktuara, SHBA-ja dhe aleatët evropianë mbeten të bashkuar dhe kontributi i Evropës në NATO vazhdon të jetë i rëndësishëm.

EMISIONET