Norvegjia feston si kampione / Mijëra tifozë presin heronjtë e Botërorit në Oslo

Edhe pse rrugëtimi i Norvegjisë në Kupën e Botës 2026 u ndal në çerekfinale, pritja që iu bë kombëtares në Oslo ishte e denjë për një fituese të madhe.
Mijëra tifozë pushtuan sheshin përpara Pallatit Mbretëror, duke krijuar një atmosferë festive për të mirëpritur futbollistët që rikthyen vendin në elitën e futbollit botëror pas një paraqitjeje historike.
Sipas raportimeve, rreth 100 mijë tifozë u mblodhën në rrugët e kryeqytetit norvegjez për të përshëndetur ekipin. Futbollistët u shfaqën në ballkonin e Pallatit Mbretëror mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të tifozëve, të cilët këndonin emrat e yjeve të skuadrës.
Një nga momentet më emocionuese ishte rituali tradicional “Viking Row”, i udhëhequr nga Princi Haakon, i cili iu bashkua festimeve me ekipin.
Në ceremoni mungoi ylli i kombëtares, Erling Haaland, i cili ishte larguar më herët dhe nuk mori pjesë në pritjen përmbyllëse.
Festimet vijuan me një paradë në rrugët e Oslos, ku lojtarët udhëtuan me autobus të hapur mes mijëra mbështetësve.
Norvegjia u eliminua nga Anglia me rezultatin 2-1 pas kohës shtesë, por paraqitja në Botëror u cilësua si një sukses historik. Për herë të parë në histori, kombëtarja norvegjeze arriti deri në këtë fazë të turneut, duke fituar jo vetëm respektin sportiv, por edhe zemrat e tifozëve të saj.


