Maliqi: Pas protestave fshihet "dora e padukshme" e BE-së dhe SHBA-së, kemi deputetë memecë që i binden vetëm kryetarit

Një revoltë e brendshme po mban gjallë protestat e fundit prej më shumë se 45 ditësh, por dyshimet shtohen se një "dorë e padukshme" ndërkombëtare mund të jetë duke drejtuar fijet nga pas.
I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte Lefter Maliqi, i cili u shpreh se gjasat janë që institucione si Bashkimi Europian ose Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë lidhje të drejtpërdrejta me grupin nismëtar të këtyre tubimeve, një grup që deri më tani mbetet enigmatik, por që mendohet se ka lidhje të ngushta me të ardhmen e drejtësisë së re në vend.
Pavarësisht zërave skeptikë që pretendojnë se protestat po sfumohen për shkak të lodhjes, temperaturave të larta të verës apo sezonit të pushimeve, fakti që një qëndresë e tillë vazhdon e pandërprerë përbën një precedent të rëndësishëm. Qëllimi dhe misioni kryesor i kësaj lëvizjeje qytetare mbetet thelbësor: ndryshimi rrënjësor i sistemit dhe i kodit zgjedhor. Kjo kërkesë vjen në një kohë kur republika parlamentare duket se ka humbur kuptimin e saj, pasi qytetarët nuk kanë më deputetë që i përfaqësojnë realisht.
" Mendoj që sigurisht është një revoltë e brendshme, por është një dorë që i drejton e padukshme, që mund të jetë te Bashkimi Europian, që mund të jetë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët mund të kenë lidhje të drejtpërdrejta jo vetëm me grupin nismëtar që është i padukshëm, ose dhe mund të jetë i zbulueshëm .por që mund të ketë lidhje edhe me drejtësinë e re në të ardhmen. Pse e them këtë? Pse e them këtë, se shumë veta thonë që po sfumohet, 1000 veta, 2000 veta po dalin, dolën 10.000, 20.000, 100.000, po për shkak edhe të 40 e ca ditë, po edhe për shkak edhe të verës, edhe të pushimeve e me radhë.
Por e rëndësishme është që nuk ka ndodhur ndonjëherë që 45 ditë sot të ketë, të vazhdojnë protesta të qëndrueshme edhe me një mision.
Misioni kryesor është ndryshimi i sistemit, i kodit zgjedhor. Pra, sepse ne jemi republikë parlamentare dhe ne nuk kemi deputetë të popullit. Sot pashë një emision nga mediat kur vinin në pyetje deputetët, i thoshin, për 4.3 milionë euro që dhanë për këngëtarin, a nuk do ishin mirë këto për spitale, për shtretër, për ilaçe e me radhë? Dhe të gjithë deputetët në kor nuk fliste asnjë, u kishte ikur goja.
Që do të thotë, që do të thotë deputetë memecë, deputetë të kryetarit, që s'janë deputetë të popullit", u shpreh Maliqi.
Ndiqni intervistën e plotë:

