Daçiq mbron ministren Serbe pas deklaratës për Kosovën: Rikthen narrativat e vjetra të Beogradit për luftën

Daçiq mbron ministren Serbe pas deklaratës për Kosovën:

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka dalë në mbrojtje të ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratës së saj se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.

Në vend që të distancohej nga deklarata e ministres, Daçiq i ka cilësuar kritikat ndaj saj si “të turpshme” dhe “hipokrite”, duke zhvendosur debatin drejt pretendimeve të njohura të politikës serbe për Kosovën.

Ai ka përsëritur narrativat e Beogradit për largimin e serbëve pas luftës së vitit 1999, duke pretenduar se komuniteti serb është përballur me spastrim etnik, ndërsa ka akuzuar kritikët për standarde të dyfishta.

Deklaratat e Daçiqit vijnë pas reagimeve të shumta në Kosovë dhe në institucionet evropiane ndaj fjalëve të Paunoviqit. Partia Demokratike Evropiane dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë dënuar çdo retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik, duke kërkuar përgjegjësi nga zyrtarët serbë.

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar se në Evropë nuk ka vend për gjuhë që nxit urrejtjen apo relativizon krimet e së kaluarës, duke kërkuar nga liderët politikë në Serbi të kontribuojnë në dialog dhe pajtim rajonal.

Mbrojtja që Daçiq i ka bërë ministres serbe ka rikthyer debatet mbi përdorimin e retorikës nacionaliste në politikën e Beogradit ndaj Kosovës dhe të kaluarës së luftërave të viteve ’90.

EMISIONET