KQZ ndan mbi 2.1 milionë euro për partitë parlamentare/ LVV përfituesja më e madhe me mbi 881 mijë euro

KQZ ndan mbi 2.1 milionë euro për partitë parlamentare/ LVV

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Shuma totale e ndarë për periudhën nga 9 korriku deri më 31 dhjetor 2026 arrin në 2,113,735.89 euro, ndërsa fondet do të shpërndahen në bazë të numrit të mandateve që partitë kanë fituar në Kuvend.

Sipas vendimit të KQZ-së, pjesa më e madhe e fondit, rreth 2.08 milionë euro, është ndarë proporcionalisht mes subjekteve politike, ndërsa një pjesë është rezervuar për mbështetjen e punës së deputetëve dhe grupeve parlamentare.

Përfituesja më e madhe është Lëvizja Vetëvendosje, e cila me 49 ulëse në Kuvend përfiton gjithsej 881,253.70 euro, përfshirë edhe kuotën gjinore.

Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22 mandate dhe përfitim prej 381,895.89 euro, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 18 ulëse përfiton 312,460.27 euro.

Lista Serbe me 9 mandate merr 156,230.14 euro, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7 ulëse përfiton 121,512.33 euro.

Subjektet e tjera parlamentare marrin financim në përputhje me numrin e ulëseve të tyre në Kuvend, ndërsa partitë me nga një deputet përfitojnë shumën e njëjtë prej 17,358.90 euro.

Vendimi i KQZ-së bazohet në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, i cili përcakton se fondet publike ndahen sipas përfaqësimit parlamentar dhe numrit të mandateve të fituara në zgjedhje.

EMISIONET