Marta Kos dënon deklaratën e ministres Serbe për Kosovën: Në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon spastrimin etnik

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.
Në një konferencë për media në Bruksel, Kos u shpreh se është e tronditur nga deklarata të tilla dhe theksoi se Bashkimi Evropian ka zero tolerancë ndaj çdo gjuhe që justifikon, promovon apo glorifikon spastrimin etnik.
“Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat evropiane, dinjitetin njerëzor, pajtimin dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, deklaroi Kos.
Ajo theksoi se deklaratat e tilla bien ndesh edhe me angazhimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Komisionerja evropiane tha se pret nga liderët politikë serbë që të veprojnë me përgjegjësi, të shmangin gjuhën nxitëse dhe të kontribuojnë në ndërtimin e besimit dhe stabilitetit në rajon.
Deklarata e ministres Paunoviq ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe ndërkombëtarisht, duke u cilësuar si retorikë e papranueshme që rikthen gjuhën e periudhës së Millosheviqit.


