Ish-sn*jperisti gjerman i UÇK-së: Serbia dhe Rusia po zhvillojnë l*ftë hibride, Kosova duhet të përballet me dezinformimin

Ish-vullnetari gjerman i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Michael Spath, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq për Kosovën, duke ngritur shqetësime për ndikimin e narrativave të luftës hibride nga Serbia dhe Rusia.
Spath, i cili mori pjesë në luftimet në Koshare gjatë luftës së Kosovës, tha se rasti i fundit tregon sfidat me të cilat Kosova përballet në procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe luftën kundër dezinformimit.
“Është e rëndësishme të kuptohet se sa lehtë mund të bëhesh i cenueshëm ndaj narrativave të luftës hibride të Serbisë dhe Rusisë. Është koha që kjo të ndryshojë”, deklaroi ai.
Në reagimin e tij, Spath iu referua deklaratës së ministres serbe Paunoviq, e cila tha se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.
Sipas tij, rikthimi i një gjuhe të tillë është shqetësues për rajonin, veçanërisht duke pasur parasysh pasojat e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, me mijëra viktima civile dhe zhvendosje masive të popullsisë.
Spath vuri në dukje se reagimet në Serbi ndaj deklaratës së Paunoviqit kanë qenë të ndara: ndërsa disa forca opozitare dhe organizata të shoqërisë civile kërkuan masa ndaj saj, figura të larta të qeverisë serbe, përfshirë Ivica Daçiqin, e kanë mbrojtur deklaratën duke pretenduar se është nxjerrë jashtë kontekstit.
Ish-luftëtari gjerman theksoi se Kosova duhet të forcojë përballjen me propagandën dhe narrativat që synojnë të deformojnë të vërtetën historike.


