Demokratët evropianë kundër ministres serbe: Serbia nuk mund të shkojë drejt BE-së me retorikën e Millosheviqit

Demokratët evropianë kundër ministres serbe: Serbia nuk mund

Partia Demokratike Evropiane (EDP) ka dënuar ashpër deklaratën e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se, nëse do të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq gjatë luftës në Kosovë, do të kishte kryer spastrim etnik.

Në një reagim të publikuar në platformën “X”, EDP e cilësoi deklaratën si “skandaloze dhe të papranueshme”, duke theksuar se një gjuhë e tillë përbën justifikim të zhvendosjeve me forcë, persekutimit dhe krimeve kundër njerëzimit.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Evropiane, Sandro Gozi, i bëri thirrje presidentit serb Aleksandar Vuçiq që të dënojë qartë deklaratën e ministres dhe të ndërmarrë masa ndaj saj, përfshirë shkarkimin nga detyra.

Sipas EDP-së, Serbia nuk mund të pretendojë një angazhim serioz për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, nëse zyrtarë të saj rikthejnë retorikën dhe narrativat e periudhës së Millosheviqit.

“Respektimi i vlerave evropiane fillon me refuzimin e çdo gjuhe që lidhet me spastrimin etnik”, thuhet në reagimin e demokratëve evropianë.

Deklarata e Paunoviqit ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe në institucionet evropiane. Edhe komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e ka dënuar gjuhën që justifikon spastrimin etnik, duke kërkuar përgjegjësi dhe përmbajtje nga liderët politikë serbë.

EMISIONET