Katherine Heigl nxjerr në shitje rezidencën luksoze në Utah, ja çfarë ka vila 10.6 milionë dollarëshe

Katherine Heigl nxjerr në shitje rezidencën luksoze në Utah, ja

Katherine Heigl ka vendosur të nxjerrë në shitje rezidencën e saj luksoze në malet e Utah, një pronë që prej vitesh ka shërbyer si strehë private për aktoren dhe familjen e saj. Vila, e vlerësuar në 10.6 milionë dollarë, spikat për përmasat, luksin dhe peizazhin që e rrethon.

Aktorja e njohur nga seriali "Grey's Anatomy" dhe bashkëshorti i saj, muzikanti Josh Kelley, e ndërtuan pronën në vitin 2008 mbi një sipërfaqe prej afro 10 hektarësh në zonën private Maple Ridge Ranches në Oakley, Utah.

Shtëpia, e rinovuar së fundmi, shtrihet në më shumë se 743 metra katrorë dhe ndërthur stilin tradicional malor me elemente moderne. Ajo përfshin gjashtë dhoma gjumi, shtatë banja, një sallon me tavane të larta dhe një oxhak prej çeliku rreth nëntë metra të lartë.

Rezidenca është pajisur me kuzhinë luksoze, kinema private, dhomë multimediale dhe një zonë spa me sauna dhe banjë me avull. Dhoma kryesore është konceptuar si një hapësirë relaksi, me garderobë të madhe, sallon privat dhe banjë luksoze me mur dekorativ me efekt uji.

Në pronë ndodhet edhe një apartament për mysafirë, si dhe një tarracë që ofron pamje panoramike 270 gradë mbi malet përreth.

Mes veçorive më të veçanta të rezidencës janë pishina e ngrohur me pamje nga natyra, një studio arti që Katherine Heigl e përdorte për pikturë dhe një punëtori ku Josh Kelley merrej me përpunimin e lëkurës.

Prona përfshin gjithashtu një kabinë të vogël prej druri, të rindërtuar nga dru lisi rreth 200-vjeçar dhe të pajisur me gramafon, e krijuar si një ambient i qetë për pushim dhe dëgjim muzike në pllaka vinili.

Rezidenca konsiderohet një nga pronat më të veçanta në zonën e Oakley, falë kombinimit të luksit, privatësisë dhe peizazhit natyror që ofron.

EMISIONET