Hamza mbledh deputetët e PDK-së: Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje të proceseve

Hamza mbledh deputetët e PDK-së: Kosova ka nevojë për

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka zhvilluar një takim me deputetët e zgjedhur të kësaj partie, ku në fokus ka qenë situata politike në vend dhe procesi i krijimit të institucioneve të reja.

Sipas njoftimit të PDK-së, gjatë takimit është theksuar nevoja që konstituimi i Kuvendit dhe formimi i institucioneve të përfundojë sa më shpejt, pa vonesa të mëtejshme.

PDK ka akuzuar partinë fituese të zgjedhjeve për bllokim të procesit institucional, duke vlerësuar se zvarritja e krijimit të institucioneve po thellon pasigurinë politike, po pengon zhvillimin ekonomik dhe po dëmton interesat e qytetarëve.

Deputetët e zgjedhur të PDK-së kanë deklaruar se Kosova ka nevojë për institucione funksionale që të përballen me sfidat në ekonomi, mirëqenie sociale, forcimin e shtetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje subjektit politik që ka dalë i pari në zgjedhje që të marrë përgjegjësinë për zhbllokimin e procesit dhe krijimin e institucioneve të reja.

Sipas PDK-së, stabiliteti politik dhe vendimmarrja efektive janë të domosdoshme për të garantuar zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.

EMISIONET