Gjyqtari Barton i përgjigjet Deschamps pas kritikave në Botëror: Ne e dimë pse jemi këtu

Gjyqtari salvadorian Ivan Barton ka reaguar ndaj kritikave të ish-trajnerit të Francës, Didier Deschamps, pas eliminimit të “Gjelave” nga Kupa e Botës.
Barton drejtoi gjysmëfinalen mes Francës dhe Spanjës, ku skuadra spanjolle fitoi 2-0 dhe siguroi një vend në finale. Pas ndeshjes, Deschamps vuri në pikëpyetje nivelin e gjyqtarit për një përballje kaq të rëndësishme, duke kritikuar veçanërisht vendimin për penalltinë e akorduar pas ndërhyrjes ndaj Lamine Yamal.
Megjithatë, Barton tha se komentet e trajnerit francez nuk e kanë lëkundur besimin e tij dhe të ekipit të arbitrave.
“Ne e dimë për çfarë luftuam, si e merituam dhe pse jemi këtu. Asnjë koment nuk do të na bëjë të dyshojmë për këtë”, deklaroi Barton.
Gjyqtari 35-vjeçar theksoi se përfaqësimi i El Salvadorit në një skenë të tillë është një arritje e madhe dhe se suksesi i tij tregon që origjina nuk duhet të jetë pengesë për të arritur nivelet më të larta.
Edhe kreu i arbitrimit të FIFA-s, Pierluigi Collina, doli në mbështetje të Barton, duke mbrojtur përzgjedhjen e tij dhe duke theksuar se gjyqtarët e Kupës së Botës janë ndër më të mirët në botë.
Për Barton, gjysmëfinalja Francë-Spanjë ishte ndeshja më e madhe e karrierës së tij deri tani. Ai kishte qenë gjithashtu pjesë e Kupës së Botës 2022 në Katar dhe kishte drejtuar edhe takime të tjera në turneun e vitit 2026.


