Dënohet me 4 muaj burg personi që kërc*noi Hysni Gucatin në Facebook

Gjykata Themelore në Drenas ka dënuar me 4 muaj burgim Eqrem Avdullahun nga Rahoveci, i akuzuar për veprën penale “kanosje” ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Në seancën përfundimtare, gjyqtari bëri të ditur se i akuzuari është dënuar gjithashtu me një gjobë prej 70 eurosh, ndërsa palët kanë të drejtë ankese ndaj vendimit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Avdullahu dyshohet se përmes rrjetit social Facebook ka bërë kërcënime ndaj Gucatit, duke i shkaktuar atij frikë, ankth dhe pasiguri për jetën.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 3 qershor 2026, kur në një faqe në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” ishte publikuar një fotografi e Hysni Gucatit me pretendime për punësimin e tij.
Sipas Prokurorisë, më pas Avdullahu, përmes profilit të tij personal në Facebook, kishte publikuar një koment kërcënues ndaj Gucatit.
Gjykata e shpalli fajtor për veprën penale “kanosje” dhe caktoi dënimin me burgim./TELEGRAFI


