FIFA mbyll zërat për manipulime në Botëror: Nuk u gjet asnjë provë për kurdisje ndeshjesh

FIFA mbyll zërat për manipulime në Botëror: Nuk u gjet

FIFA ka reaguar zyrtarisht pas akuzave dhe dyshimeve për manipulim të ndeshjeve gjatë Kupës së Botës 2026, duke deklaruar se hetimet nuk kanë zbuluar asnjë shenjë të kurdisjes apo ndikimit të jashtëligjshëm në rezultatet e turneut.

Organizmi më i lartë i futbollit botëror bëri të ditur se Grupi i Punës për Integritetin, i përbërë nga ekspertë të FIFA-s, FBI-së, INTERPOL-it, Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, monitoroi në kohë reale tregjet e basteve dhe zhvillimet në fushë gjatë gjithë kompeticionit.

Sipas FIFA-s, analizat e kryera nuk zbuluan modele të dyshimta bastesh apo tregues që mund të lidhen me manipulimin e ndonjë prej 104 ndeshjeve të zhvilluara në Botëror.

Reagimi vjen pas disa polemikave gjatë turneut, veçanërisht pas humbjes së Egjiptit ndaj Argjentinës, ku federata egjiptiane ngriti pretendime për gabime të rënda të arbitrimit dhe kërkoi masa ndaj gjyqtarëve.

Edhe trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, shkaktoi debat me deklaratat e tij, duke pretenduar se disa vendime ishin marrë për të favorizuar Lionel Messin dhe për ta mbajtur Argjentinën në garë.

Shefi i arbitrave në FIFA, Pierluigi Collina, i hodhi poshtë këto akuza, duke i cilësuar si të pabazuara dhe duke mbrojtur punën e gjyqtarëve gjatë turneut.

FIFA theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar për monitorimin e integritetit do të vazhdojë edhe në kompeticionet e ardhshme, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e çdo rreziku të mundshëm për manipulimin e ndeshjeve.

 

 

EMISIONET