Numërohen 40% e votave me postë/ Vetëvendosje merr 70% të mbështetjes së diasporës

Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e 7 qershorit ka hyrë në ditën e tetë, ndërsa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave të diasporës të dërguara përmes postës.
Deri në mesditë janë numëruar rreth 40 për qind e kutive të votimit. Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 70 për qind të votave me postë, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 14 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës renditet e treta me afër 7 për qind, ndërsa Aleanca ka marrë rreth 5 për qind të votave.
Rezultatet e votave të diasporës kanë ndikuar edhe në shpërndarjen e mandateve. Sipas përllogaritjeve aktuale, Vetëvendosje ka 51 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 23, Lidhja Demokratike e Kosovës 19, ndërsa Aleanca 7 mandate.
Në zgjedhjet e këtij viti, përmes postës kanë votuar gjithsej 82 mijë e 809 shtetas. Pas përfundimit të numërimit të këtyre votave, do të procedohet me numërimin e 8 mijë e 751 votave me kusht dhe mbi 3 mijë votave të personave me nevoja të veçanta.
Pas përmbylljes së numërimit të të gjitha votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të rinumërojë 10 për qind të vendvotimeve në nivel vendi, si pjesë e procesit të verifikimit të rezultateve.
KQZ-ja synon t’i shpallë rezultatet përfundimtare në fund të muajit qershor, ndërsa certifikimi i tyre pritet të bëhet jo më vonë se 6 korriku.


