Shqiptarët nuk ikin më

Në një shoqëri ku humbet shpresa, njerëzit largohen. Fillimisht fizikisht. Pastaj shpirtërisht. Pastaj politikisht.
Për vite me radhë, Shqipëria është mësuar me largimin. Të rinjtë largohen nga vendi. Qytetarët largohen nga pjesëmarrja. Shumë njerëz janë larguar nga ideja se mund të ndryshojnë diçka. Demokracia është në rrezik kur qytetarët nuk janë vigjilent ndaj vlerave që e mbajnë atë gjallë.
Albert Ajnshtajni thoshte se problemet njerëzore nuk zgjidhen si ekuacionet fizike. Politika është më e vështirë se fizika. Ajo kërkon përgjegjësitë e përditshme.
Të tjerët flasin për ndikime të jashtme, ndërkohë harrojnë atë që kanë bërë ata vetë së brendshmi. Në kulmin e protestave, para gazetarëve europianë, doli teoria e komplotit. Në anti-mitingun e turpshëm na kujtoi pemët e mbjella. Janë manovra të vjetra. Kur nuk ke përgjigje, sulmo pyetjen.
Por pyetja mbetet në shesh. Qytetarët e thirrur nga shoqëria civile protestojnë çdo ditë në Tiranë kundër pushtetit. Pa parti. Pa autobusë partiakë. Pa para nëpër zarfe. Me këmbët e tyre. Me vullnetin e tyre.
Shqiptarët që protestojnë e dinë kuptimin e asimetrisë. Dikush që ka pushtetin ofron dialogun si dhuratë. Dikush që ka të drejtën kërkon vendimin e dorëheqjes si detyrim.
Mandati i katërt. Autoritarizëm i shtuar. Përqendrim monokratik i vendimmarrjes. Fjalitë e gjata për një të vërtetë të madhe. Këtu një njeri vendos gjithçka. Prandaj, asgjë nuk korrigjohet dot nga brenda.
Dikur Ajnshtajni refuzoi presidencën e Izraelit. Ai tha se nuk di si të udhëheqë njerëzit. Gjyslykëkuqi ynë nuk e ka këtë problem. Ai mendon se di gjithçka.
Por udhëheqja dhe sundimi nuk janë e njëjta gjë. Protestuesit thonë, jemi kundër dy fosileve. Duam një Shqipëri të Re. Kjo është fjali kyçe. Kjo është risia e vërtetë.
Shqipëria ka protestuar shpesh. Por gjithmonë me flamurin e njërës palë. Gjithmonë me dinosaurin e palës tjetër në krye. Gjithmonë me fjalime pa shpirt.
Këtë herë, s’ka flamur partie. Ka flamuj me flamingo. Ka parulla të mprehta. Ka fjalime të vërteta. Kjo e tremb gjyslykëkuqin më shumë se çdo opozitë. Ai opozitën e njeh. E kontrollon. E provokoi. E mposhti. Por qytetarin e lirë, atë që nuk kërkon postin e radhës, atë që nuk pret kontratën e nesërme, atë që fle mirë pa u rreshtuar, pikërisht atë nuk po di si ta trajtojë.
A do të largohet gjyslykëkuqi nga kjo protestë? Ai nuk po e gjen dot kuptimin e protestës. Protesta nuk është çështje numrash. Protesta është çështje revolte morale.
Masa është morale, jo numerike. Ajo nuk zhduket me ujë. Nuk shpërbëhet me premtime. Nuk blihet me vende pune.
Ajnshtajni e dinte se ekuacionet e fizikës zgjidhen njëherë e përgjithmonë. Problemet njerëzore duhen zgjidhur çdo ditë, nga secili prej nesh.
Flamingot nuk votojnë. Nuk lobojnë. Nuk i shkruajnë letër BE-së. Por janë atje. Tani njerëzit po dalin që t’i mbrojnë. Diçka ka ndryshuar brenda nesh.
Ky është momenti kur njerëzit ndalojnë së ikuri. Ky është momenti që çdo pushtet i frikësohet. Ky është momenti i ndryshimit të madh.

