Skandal në Kupën e Botës / FIFA hap hetim ndaj arbitrit të VAR-it për gjest të dyshimtë

Një episod jashtë fushës së lojës ka trazuar atmosferën e Kupës së Botës, duke rikthyer në qendër të vëmendjes debatin mbi racizmin dhe simbolet e urrejtjes në sport.
FIFA ka nisur një hetim ndaj arbitrit australian Shon Evans, i angazhuar në sistemin VAR gjatë ndeshjes mes Gjermanisë dhe Kurasaos në Hjuston, pasi ai u fotografua dhe filmua duke bërë me dorë një gjest që në disa vende konsiderohet simbol i “supremacisë së bardhë”.
Pamjet janë shpërndarë gjerësisht dhe kanë shkaktuar reagime të shumta, duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimin e veprimit të arbitrit. Deri më tani nuk është e qartë nëse gjesti është bërë pa qëllim apo me vetëdije, çka pritet të sqarohet nga hetimi i FIFA-s.
Sipas raportimeve, organi më i lartë i futbollit botëror po shqyrton të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe nuk përjashtohet mundësia që Evans të pezullohet ose të përjashtohet nga aktiviteti, në varësi të përfundimeve të hetimit.
Rasti ka sjellë ndër mend një incident të ngjashëm gjatë Lojërave Olimpike të Parisit 2024, ku një zyrtar u largua nga detyra pas përdorimit të një gjesti të konsideruar kontrovers.
Ndërsa vëmendja e tifozëve është e përqendruar te spektakli i futbollit në Amerikën e Veriut, ky incident dëshmon se sporti vazhdon të përballet me sfida që shkojnë përtej fushës së blertë. FIFA synon që Botërori të mbetet një festë e futbollit, larg polemikave që lidhen me racizmin, diskriminimin dhe tensionet politike.


