Meloni pret kryeministren japoneze Takaichi, në fokus Hormuzi dhe siguria energjetike

Meloni pret kryeministren japoneze Takaichi, në fokus Hormuzi dhe siguria

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni priti sot në Romë, homologen e saj japoneze Sanae Takaichi, në një takim të fokusuar në forcimin e partneritetit ekonomik, bashkëpunimin në mbrojtje dhe hapësirë, si dhe zhvillimet e fundit gjeopolitike, përfshirë rëndësinë e rihapjes së ngushticës së Hormuzit dhe qëndrueshmërinë energjetike, raportoi “Euronews Italia”.

Takimi vjen pas vizitës së Takaichi në Londër dhe në prag të samitit të G7-tës, në Evian të Francës.

Dy kryeministret, të dyja për herë të parë në krye të qeverive të vendeve të tyre, dhe me orientim të djathtë politik, diskutuan thellimin e bashkëpunimit strategjik mes Italisë dhe Japonisë.

Sipas ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, marrëdhëniet dypalëshe janë në një fazë të favorshme, të mbështetura edhe nga afërsia politike dhe ideologjike mes dy udhëheqëseve.

Fokusi te Hormuzi dhe siguria energjetike

Takimi u zhvillua vetëm pak orë pas njoftimit, për një marrëveshje kornizë SHBA–Iran, ndërsa Takaichi theksoi angazhimin e Japonisë për paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme, përfshirë garantimin e lundrimit të lirë dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, si dhe forcimin e sigurisë energjetike.

Japonia është ftuar gjithashtu të bashkohet me deklaratën e përbashkët të vendeve evropiane për situatën aktuale, ndërsa Tokio ka sinjalizuar gatishmëri për t’iu bashkuar asaj.

Bashkëpunim në mbrojtje dhe hapësirë

Italia dhe Japonia po vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në kuadër të programit Global Combat Air Programme (GCAP), një projekt me Britaninë e Madhe, për zhvillimin e një avioni luftarak të gjeneratës së gjashtë, me qëllim forcimin e sigurisë në Euro-Atlantik dhe Indo-Paqësor.

Gjithashtu, të dy vendet po thellojnë bashkëpunimin në sektorin hapësinor përmes nismave të përbashkëta ndërqeveritare dhe industriale.

Forcim i partneritetit ekonomik

Takimi shërbeu edhe për të vlerësuar progresin e marrëveshjeve të mëparshme dhe për të identifikuar projekte të reja, në prag të samitit të G20-ës në Miami.

Në vitin 2025, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arritën në 12,3 miliardë euro, me një suficit të ndjeshëm për Italinë.

Japonia mbetet një nga partnerët kryesorë të Italisë në Azi, ndërsa qindra kompani italiane operojnë në tregun japonez.

Në prag të takimit të G7-tës në Evian, Francë

Dy kryeministret shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi agjendën ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe sigurinë në Indo-Paqësor, në prag të samitit të G7-tës në Evian, ku pritet koordinim i mëtejshëm mbi çështjet globale të sigurisë dhe energjisë. 

EMISIONET