Mali i Zi hedh poshtë akuzat e Vuçiç-it se Podgorica zhvillon luftë hibride kundër Serbisë

Mali i Zi hedh poshtë akuzat e Vuçiç-it se Podgorica zhvillon

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i përshkroi si të pabazuara akuzat se Podgorica zhvillon luftë hibride kundër Serbisë, duke vlerësuar se deklaratat e tilla pasqyrojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike në Beograd për ta pranuar Malin e Zi si shtet sovran.

Reagimi erdhi pas pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçi 135, se Mali i Zi dhe mediat e tij marrin pjesë në veprime hibride kundër Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi më 14 qershor për Televizionin Prva të Serbisë se mediat në Mal të Zi kanë pasur një rol të rëndësishëm në revolucionin me ngjyra në Serbi, ndërsa Mali i Zi zhvillon një luftë hibride kundër Serbisë”.

Përmes një deklarate të postuar në platformën X, ministria malazeze vlerësoi se deklaratat e shpeshta nga shteti fqinj dëshmojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike për ta pranuar Malin e Zi si një shtet sovran dhe të barabartë, e jo si një hapësirë që duhet t’u rikthehet qendrave të imagjinuara politike.

Ajo shtoi se deklaratat e tilla, zakonisht, intensifikohen sa herë që Mali i Zi bën hapa para në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kur afrohen zgjedhjet.

“Ia lëmë publikut të vlerësojë nëse deklaratat e tilla duhen parë si hyrje në fushata të reja dezinformimi dhe presionesh politike, apo si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet që nuk kanë asnjë lidhje me Malin e Zi”, thuhet në deklaratë.

Ministria malazeze rikujtoi se vendimi për rikthimin e pavarësisë së Malit të Zi është përfundimtar, demokratik dhe i verifikuar ndërkombëtarisht në referendum, dhe shtoi se Mali i Zi dëshiron marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët, përfshirë Serbinë.

Megjithatë, ajo theksoi se marrëdhëniet e tilla mund të ndërtohen vetëm mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe pranimit të realitetit, duke i hedhur poshtë pretendimet se Mali i Zi i ka marrë territor kujtdo.

EMISIONET