GJKKO LË NË QELI ERALBI BREÇANIN/ Djali i ish-policit akuzohet SPAK për trafikim të 446 kg k*kainë
GJKKO la në fuqi masën “arrest me burg” për Eralbi Breçanin, i akuzuar nga SPAK si financues dhe porositës i trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikimin e qindra kilogramëve kokainë në bashkëpunim me Ergys Dashin, Ervin Matën dhe persona të tjerë.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Eralbi Breçanin, djalin e ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit, Erzen Breçani, i akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Europës.
I shpallur në kërkim në nëntor të vitit 2023 nga SPAK, Breçani u vetëdorëzua disa ditë më parë në Spanjë, nga ku më pas u ekstradua për t’u përballur me drejtësinë shqiptare.
Prokuroria e Posaçme e akuzon atë si pjesë të një grupi të strukturuar kriminal të trafikut të drogës, pjesë e të cilit sipas hetimit ishin edhe Ergys Dashi dhe Ervin Mata, ky I fundit I arrestuar në Brazil dhe aktualisht për të është hapur një procedurë ekstradimi.
Sipas dosjes hetimore, Eralbi Breçani dyshohet se kishte rolin e financuesit dhe porositësit të sasive të mëdha të kokainës që trafikoheshin nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Nga hetimet rezulton se Eralbi Breçani, në bashkëpunim me Ergys Dashin, i vrarë në Guayaquil në vitin 2022, por edhe me persona të tjerë, kanë bashkëpunuar për trafikimin e 446 kilogramëve kokainë nga Amerika e Jugut drejt Holandës. Kjo sasi kokaine u kap nga autoritetet holandeze në janar të vitit 2021.
Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se Breçani, bashkë me grupin e tij, është përgjegjës për një ngarkesë prej afro 70 kilogramësh kokainë, gjithashtu të sekuestruar nga autoritetet në vitin 2021, e cila ishte nisur nga Brazili dhe kishte si destinacion final Europën.
Sipas SPAK, Eralbi Breçani ishte porositës dhe financues, së bashku me Ismail Zenelin, Artan Sulejmanin, Besmir Murtatin dhe Ergys Dashin, i cili siguronte furnizimin me kokainë në vendet e origjinës, si dhe ngarkimin e saj në porte me destinacion portet europiane.
SPAK, më 20 nëntor 2023, lëshoi 11 urdhër-arreste në kuadër të operacionit për goditjen e grupit të strukturuar kriminal.
Në kuadër të këtij operacioni u ndalua edhe Erzen Breçani, ish-drejtor i Policisë së Tiranës, i cili më pas u lirua dhe çështja ndaj tij u veçua.
Po ashtu, u arrestuan Dedan Gjoni, ish-shef i Krimeve në Komisariatin nr. 6, Bujar Ajezi.

