Kërkohet shkarkimi i Abdixhikut/ Haziri: Çështja do të trajtohet sipas procedurave të LDK-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se kërkesa për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë do të shqyrtohet në përputhje me Statutin dhe procedurat e brendshme të LDK-së.
Deklarata e tij vjen pas dorëzimit të nënshkrimeve nga disa anëtarë të partisë, të cilët kanë kërkuar mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm, ku pritet të diskutohet edhe pozita e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Haziri tha se kjo çështje është futur në rrugë procedurale dhe se trajtimi i saj i takon sekretariatit të partisë.
“Është trajtuar në rrugë procedurale. Proceduralisht e trajton sekretariati, sipas normave të brendshme politike. Statuti i LDK-së e ka rregulluar këtë proces dhe LDK-ja di ta vetëmenaxhojë”, u shpreh Haziri.
I pyetur për mundësinë e shkarkimit të Abdixhikut, ai e cilësoi pyetjen si paragjykuese, duke theksuar se çështjet politike do të trajtohen përmes diskutimeve politike.
Haziri shtoi se procesi do të zhvillohet në dy drejtime: shqyrtimi i kërkesës së delegatëve dhe menaxhimi i situatës politike nga kryetari i partisë dhe struktura drejtuese.
Ndërkohë, ai bëri të ditur se verifikimi i nënshkrimeve të dorëzuara është përgjegjësi e sekretariatit të LDK-së, i cili më pas ia përcjell ato kryesisë së partisë./KP


