Gashi kërkon Kuvendin e LDK-së: Partia ka nevojë për reflektim, votëbesim dhe një drejtim të ri

Gashi kërkon Kuvendin e LDK-së: Partia ka nevojë për

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit të partisë dhe hapjen e çështjes së votëbesimit, duke e cilësuar këtë si një proces të demokracisë së brendshme dhe përgjegjësisë politike.

Përmes një reagimi publik, Gashi ka thënë se LDK-ja përfaqëson më shumë se një subjekt politik, duke e cilësuar atë si një ideal, histori dhe përgjegjësi ndaj Kosovës.

Sipas tij, rezultatet e tri proceseve të fundit zgjedhore kanë treguar se partia ka nevojë për reflektim, vendimmarrje dhe një vizion të ri për t’u rikthyer si forcë udhëheqëse në vend.

“Kërkesa për mbledhjen e Kuvendit të LDK-së dhe ngritjen e çështjes së votëbesimit është ushtrim i demokracisë së brendshme dhe i përgjegjësisë politike”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka theksuar se kjo iniciativë nuk ka për qëllim të jetë kundër një individi, por synon rritjen e standardeve politike, forcimin e llogaridhënies dhe konsolidimin e LDK-së.

“Kjo nuk është betejë kundër një individi, por kërkesë për një standard më të lartë politik, për llogaridhënie dhe për një LDK më të fortë”, ka thënë ai.

Gashi ka shtuar se Kuvendi i LDK-së është organi ku duhet të përcaktohet drejtimi i ardhshëm i partisë, duke bërë thirrje për vendimmarrje me guxim dhe vizion, me synimin që LDK-ja të rikthehet si një forcë që “bashkon, udhëheq dhe fiton përsëri”.

 

EMISIONET