Analistët serbë për deklaratat për Kosovën: Retorika e viteve ’90 synon mobilizimin e elektoratit të Vuçiqit

Analistët serbë për deklaratat për Kosovën: Retorika e

Deklaratat e fundit të zyrtarëve të lartë serbë për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë kanë rikthyer në diskursin publik retorikën e viteve të nëntëdhjeta, vlerësojnë analistë në Serbi.

Psikologu social serb, Dragan Popadiq, ka thënë për gazetën “Nova” se deklaratat e ministres Snezhana Paunoviq dhe ministrit të Brendshëm Ivica Daçiq janë të dëmshme për imazhin ndërkombëtar të Serbisë dhe të vështira për t’u shpjeguar në mënyrë racionale.

“Nuk e kam të qartë pse dikush do të bënte një deklaratë të tillë. Është padyshim e dëmshme dhe e gabuar. Për mua, deklarata të tilla janë rezultat i urrejtjes irracionale ndaj një grupi dhe jo i një mesazhi politik të menduar mirë”, ka deklaruar Popadiq.

Sipas tij, një retorikë e tillë mund të ketë për qëllim edhe mobilizimin e një pjese të elektoratit tradicional të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS).

“Është e mundur që disa votues ta kenë parë si një deklaratë pozitive dhe të guximshme”, është shprehur ai, duke theksuar se pasojat kryesore janë dëmi në opinionin publik dhe në reputacionin e Serbisë.

Debati u nxit pas deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq gjatë luftës në Kosovë, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.

Deklarata shkaktoi reagime nga Bashkimi Evropian, i cili theksoi se nuk ka vend në Evropë për retorikë që justifikon spastrimin etnik. Ndërkohë, opozita serbe dhe organizata të shoqërisë civile kërkuan shkarkimin e ministres.

Në mbrojtje të Paunoviqit doli Ivica Daçiq, i cili i cilësoi kritikat si “hipokrizi” dhe pretendoi se spastrimi etnik është kryer ndaj serbëve në Kosovë.

 

EMISIONET