Tri akuza penale ndaj Gjestit/ Mungesa e tij shtyn seancën gjyqësore në Prishtinë

Tri akuza penale ndaj Gjestit/ Mungesa e tij shtyn seancën gjyqësore

Seanca dëgjimore ndaj këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, ka dështuar të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shkak të mungesës së të akuzuarit.

Gjesti përballet me akuza për tri vepra penale: “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Avokati i tij mbrojtës, Burim Azemi, deklaroi se Kelmendi e kishte njoftuar përmes një mesazhi se nuk mund të ishte i pranishëm në seancë për arsye që, sipas tij, do të sqarohen më vonë.

“Rrethanat a janë objektive apo subjektive nuk i di për momentin, mirëpo më ka treguar që e ka të pamundur të prezantojë sot”, tha Azemi.

Në seancë ishte i pranishëm prokurori Malart Kuçi, ndërsa mungoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar. Gjykata konstatoi se nuk kishte kushte ligjore për zhvillimin e seancës.

Gjykatësja Edita Canta bëri të ditur se nëse Gjesti nuk paraqitet në seancën e ardhshme, ndaj tij mund të lëshohet urdhër për sjellje me detyrim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Besart Kelmendi akuzohet se në mars të vitit 2026, në zyrat e studios “Onima” në Prishtinë, dyshohet se ka kanosur të dëmtuarin Erkand Shabani dhe ka shkaktuar dëme materiale në ambientet e studios.

Prokuroria pretendon se ngjarja lidhet me një mosmarrëveshje për një borxh paraprak, ndërsa ndaj këngëtarit rëndojnë akuzat për kanosje, mbajtje të paautorizuar të armës dhe dëmtim të pasurisë.

 

 

EMISIONET