Qeveria në detyrë emëron Ragmi Dalipin në krye të ASHI-së/ Miraton shpronësime për projekte në Gjakovë

Qeveria në detyrë emëron Ragmi Dalipin në krye të

Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar të martën një mbledhje elektronike, ku ka miratuar disa vendime, përfshirë emërimin e drejtorit të ri të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

Sipas njoftimit zyrtar, në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të ASHI-së është emëruar Ragmi Dalipi.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe vendimin përfundimtar për shpronësimin e disa pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), për realizimin e projekteve me interes publik në Komunën e Gjakovës.

Pronat e shpronësuara do të përdoren për administrimin e objektit të ish-“Bankos”-it për nevojat e administratës komunale, si dhe për ndërtimin e një fushe futbolli dhe hapësirave rekreative në fshatin Trakaniq dhe zonat përreth.

Po ashtu, ekzekutivi në detyrë ka miratuar ndryshimin e përbërjes së Komisionit për shqyrtimin dhe vendosjen e zyrtarizimit të gjendjes faktike dhe mospërputhjeve me Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme.

Me këtë vendim, Besnike Mehmeti nga Zyra e Kryeministrit është emëruar zëvendësuese e një anëtari të komisionit, duke zëvendësuar Ervina Gashin.

EMISIONET