Paralajmërimi për mazhorancën, Balliu: Do ikni me të mirë apo t'ju marrin zv*rrë?!

Një seancë e tensionuar dhe e mbushur me akuza të rënda është zhvilluar ditën e sotme në Kuvend, ku përfaqësues të opozitës i kanë kërkuar mazhorancës dorëheqjen e menjëhershme.

Gjatë fjalës së mbajtur në foltore, deputeti demokrat Klevis Balliu theksoi se të gjitha shpifjet e ngritura dhe të sponsorizuara ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, kanë rënë poshtë një e nga një.

Berisha u cilësua nga ai si politikani më i hetuar në Evropë, por njëkohësisht më i pastri që ka shkelur ndonjëherë në sallën e parlamentit.

Tonet u ashpërsuan kur diskutimi kaloi tek protestat e qytetarëve në shesh. Sipas Balliut, koha e fjalëve ka përfunduar dhe qeveria ndodhet përpara një zgjedhjeje të vetme: të largohet me dëshirë ose të përballet me tërheqjen zvarrë nga populli i revoltuar.

Ai ngriti pretendime të forta se mazhoranca ka infiltruar kriminelë, trafikantë dhe vrasës në institucione, duke ua nxirë jetën qytetarëve. Ndërkohë, vuri theksin te pabarazia ekstreme ekonomike, duke ironizuar se trajtimi për një qen rruge kap vlerën e 200 mijë lekëve, ndërsa qytetarët shqiptarë marrin një ndihmë ekonomike qesharake prej vetëm 35 mijë lekësh.

Në përfundim të fjalës së tij, Balliu u shpreh qartë se dyert e Evropës nuk mund të hapen kurrë për një qeverisje të lidhur me krimin, por vetëm për popullin sovran.

Ndaj ai kërkoi prerazi që përfaqësuesit e qeverisë të kërkojnë falje publike, të dorëzojnë mandatet dhe t'i hapin rrugë zgjedhjeve të reja, duke vulosur kështu atë që opozita e quan fundin e pashmangshëm të këtij pushteti.

PËR MË SHUMË NDIQNI PUNIMET E SOTME PARLAMENTARE

EMISIONET