VIDEO/ Berisha "shpëton" nga Amerika, Shehu në Kuvend: E vërteta ka fituar, bashkë me të gjithë ne
Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu deklaroi në Kuvend se “e vërteta ka fituar”, duke e lidhur këtë shprehje me zhvillimet politike rreth kreut të PD-së Sali Berisha dhe heqjen zyrtare të sanksioneve prej DASH ndaj tij.
Në fjalën e tij, Shehu e paraqiti situatën si një fitore morale dhe politike për opozitën, duke theksuar se sipas tij akuzat dhe proceset ndaj Berishës janë rrëzuar ose kanë humbur bazën e tyre politike. Ai u shpreh gjithashtu se zhvillimet e fundit përbëjnë një “mësim të madh” për politikën shqiptare.
Fjala e Shehut:
Fitoi e vërteta!
Fitoi jo vetëm Berisha.
Fituam të gjithë.
Edhe ju fituat! Edhe ata që komplotuan në tërësi fituan. Të gjithë fituan! Sepse të gjithë morëm mësimin e madh. Mos guxoni më të ndërmerrni të tilla komplote! Të kërkoni të groposni të vërtetën, të shkelni historinë, se përfundoni ashtu siç përfunduat sot. Urime Berisha! Urime Partia Demokratike! Urime juve të gjithë kolegë që jeni në sallë! Urime shqiptarëve në tërësi! Urime demokracia në tërësi! Dhe tash do të them dy fjalë të tjera.
Zoti kryetar, po ndodhin gjëra të çuditshme proçeduriale në këtë parlament. Kemi sjellë një ligj për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga propaganda gjinore.
Çfarë po ndodh? Javën e kaluar zoti kryetar, ishte planifikuar në tre komisione të kalonte. Në shqyrtimin, të drejtat e ligjeve... Si skutha, deputetët e kolegët e mazhorancës, që më vjen keq ta përdor këtë fjalë, u tërhoqën. U bllokua i pari i edukimit, që ishte të hënën në orën 12:00. U tha s'jemi gati.
Dhe pastaj ndodhi dhe me komisionet e tjera. Ç'është kjo mënyrë? Ishte programuar dhe ishte futur në program nga ju, nga kryesia, për të qenë në program. Nuk na ka ndodhur ndonjëherë kurrë një tërheqje e tillë, një zbythje e tillë, dhe një mënyrë për të sabotuar një projektligj kaq të rëndësishëm!
Edhe ndaj asaj që po ndodh aktualisht në Shqipëri, ndaj terapisë hormonale, ndaj tendencave për të ndryshuar seksin që në moshën 13 vjeç e gjysmë!
E them, dëgjo këtu, 13 vjeç e gjysmë!
Dhe për të degraduar rininë dhe për t'i hapur rrugë pastaj propagandave LGBT, propagandave trans, ndryshimit të programeve mësimore dhe për të shkuar pastaj nga ju... jo, e keni të qartë agjendën, tek familja homo, se ky është qëllimi juaj.
Prandaj unë kërkoj menjëherë të mobilizohet ky parlament. Javën tjetër të diskutohet nëpër komisione siç ka qenë e programuar, të gjitha komisionet.
Ai ligj kaq i rëndësishëm thelbësor, që kërkon të bllokojë një pjesë të këtyre rreziqeve të mëdha, të së majtës populiste, sorosiane, që kërcënojnë sot shqiptarët, familjen, te gjithe ne.
PËR MË SHUMË NDIQNI PUNIMET E SOTME PARLAMENTARE


