Lamallari për gazin lotsjellës në protestë: Lëndët e përdorura janë të certifikuara. Përdoren në BE dhe SHBA
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar në seancën plenare lidhur me mjetet e përdorura nga Policia e Shtetit gjatë menaxhimit të protestave, pas pyetjeve të ngritura nga deputetët e opozitës.
Lamallari u shpreh se pajisjet e përdorura nga policia janë mjete profesionale të certifikuara dhe përdoren nga forcat ligjzbatuese në vende të Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Konfirmoj që lëndët e përdorura nga Policia e Shtetit janë RSG8 TW1000 Professional dhe VESK RSG 8000 Special, lëndë speciale irrituese profesionale për vetëmbrojtje dhe neutralizim të personave të dhunshëm, të certifikuara dhe të përdorura nga forcat policore në vendet e Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës."-tha ai.
Ministri u shpreh se përdorimi i këtyre mjeteve bëhet për neutralizimin e personave që kryejnë akte të dhunshme dhe për ruajtjen e rendit gjatë tubimeve.
Gjatë replikës së tij, Lamallari kritikoi opozitën për qëndrimin ndaj personave që, sipas tij, përdorin dhunën gjatë protestave dhe kërkoi distancim nga këto akte.
"Lajmi nuk është spray i përdorur. Lajmi është që partia e ‘molotovarëve’ është shndërruar në parti të ‘skuthave’, që hedhin gurin dhe fshehin dorën."-shtoi ministri.
Lamallari u shpreh se Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës po veprojnë në përputhje me ligjin, duke garantuar të drejtën për protestë, por edhe sigurinë publike.
Në fund të fjalës së tij, ministri iu drejtua opozitës që të distancohet nga personat me kapuç që, sipas tij, tentojnë të nxisin dhunë gjatë protestave.
"Largoni njerëzit me kapuç përpara se t’i largojë Policia. Policia e Shtetit po bën detyrën e saj konform ligjit për të garantuar mbarëvajtjen e protestës."-u shpreh ai.


