PROTESTA PARA KUVENDIT/ Balla akuzon organizatorët: Po kërkojnë skenarë dh*ne si në 1997-ën

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar për mediat pas përfundimit të seancës plenare, duke folur për protestën jashtë Kuvendit dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë.

Balla ka dënuar dhunën ndaj uniformave blu dhe ka shprehur solidaritet me katër efektivët e policisë të plagosur gjatë protestës.

Sipas tij, ngjarjet e regjistruara nuk lidhen me shqetësimet e qytetarëve, por me një përpjekje për të krijuar tension dhe për të dëmtuar imazhin e vendit.

"Shpreh solidaritetin e plotë me Policinë e Shtetit. Uroj shërimin e shpejtë të katër punonjësve të policisë së plagosur. Në një vend si Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, nuk mund të tolerohet dhuna dhe çdo person që godet Policinë e Shtetit, godet vetë shtetin."-tha Balla.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse hedhja e vezëve konsiderohet dhunë, Balla tha se situata nuk lidhet vetëm me këtë veprim, por me përplasje më të gjera që, sipas tij, kanë sjellë dëmtime te punonjësit e policisë.

Ai akuzoi organizatorët e protestës se po tentojnë të rikthejnë skenarë të dhunës së viteve 1997-1998 dhe se këto pamje mund të ndikojnë në imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik.

"Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për vezë, por për akte dhune barbare. Përpjekjet për ta kthyer Shqipërinë në skenarë dhune si ato të viteve 1997, 1998 nuk do të kenë sukses. I gjithë synimi është të dëmtohet sezoni turistik dhe ekonomia turistike e vendit."-u shpreh deputeti socialist.

Balla foli edhe për perimetrin e sigurisë të vendosur rreth Kuvendit dhe hyrjen e deputetëve në godinë nën masa të forta sigurie. Sipas tij, deputetët duhet të kenë mundësi të ushtrojnë detyrën dhe institucionet e sigurisë kanë përgjegjësinë për të garantuar këtë proces.

Kreu i grupit socialist ngriti pretendime se mes personave që nxisin dhunën në protesta ka individë të lidhur me shërbime të huaja, të cilët sipas tij synojnë dëmtimin e imazhit dhe ekonomisë së Shqipërisë.

 

EMISIONET