“Lejoi mbjelljen e kanabisit në Gjirokastër”, Hide pas seancës në GJKKO: Nëse do jetë e nevojshme do jap dorëheqjen nga kryebashkiak
Leonard Hide, kryebashkiaku i Libohovës është paraqitur në seancën paraprake në Gjykatën e Posaçme, pasi akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre në kohën kur ka qenë shef krimesh në komisariatin e Gjirokastrës.
Nga ana e tij, SPAK ka përfunduar hetimet dhe kaluar kërkesën për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të kryebashkiakut të Libohovës Leonard Hide dhe disa personave të tjerë mes të cilëve edhe funksionar policor.
Hide dyshohet se në kohën qe ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.
Dyshimet janë gjithashtu se përveç personave të përfshirë në këtë aktivitet janë implikuar edhe punonjës policie.
Ata kanë pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ata kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre e kanë lejuar këtë aktivitet”.
Pas seancës kryebashkiaku socialist deklaroi për mediat se: "Kur kandidova për kryetar bashkie nuk isha në dijeni të hetimit", tha Hide.
PO ashtu, ai shprehu gadishmërinë se: "Nëse është e nevojshme do largohem si kryetar bashkie për t'u përballur me drejtësinë"
Në të njëjtën dosje me Hide janë edhe disa të pandehur të tjerë. Hide mori mandatin si kryebashkiak i Libohovës, nga zgjedhjet lokale të majit të vitit 2023, ku fitoi me 1401 vota përkundrejt kundërshtarit të tij.



