“Fshihen si struci kur vjen puna te faktet”/ Bido replikë Muçit: Kosova është republikë e pavarur. Çështjet kombëtare nuk trajtohen me deklarata
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, në seancën e sotme plenare ka ngritur akuza ndaj disa forcave të vogla politike për qëndrimet e tyre ndaj çështjeve kombëtare, duke përmendur Kosovën, Çamërinë dhe zhvillimet në Himarë.
Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Bido bëri një krahasim mes qasjeve të ndryshme politike ndaj marrëdhënieve me Serbinë, duke përmendur vizitat në Beograd të ish-diktatorit Enver Hoxha dhe kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, ndërsa vizita e Hoxhës lidhej me diskutimet për projektet federative të kohës, qëndrimi i sotëm i Shqipërisë lidhet me kërkesën për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.
“Populizmi është përballë fakteve. Sot Shqipëria është një republikë e pavarur dhe kërkon që Kosova, një republikë e pavarur, të njihet si realitet. Ky është ndryshimi mes retorikës dhe qëndrimit politik.”-tha ai.
Bido u ndal edhe te reagimet për deklaratat e fundit nga Serbia lidhur me Kosovën, duke kritikuar disa forca politike që sipas tij reagojnë publikisht, por mungojnë në momente kur kërkohen veprime konkrete.
Ai përmendi edhe çështjen e Çamërisë, duke thënë se disa parti të vogla nuk ishin të pranishme në sallën e Kuvendit gjatë diskutimeve për dënimin e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
“Kur vjen momenti për ta kthyer qëndrimin në veprim, disa zgjedhin të mungojnë. Çështjet kombëtare nuk mund të trajtohen vetëm me deklarata, por kërkojnë qëndrime dhe përgjegjësi politike.”-shtoi Bido.
Gjatë fjalës së tij, deputeti socialist solli në vëmendje edhe zgjedhjet në Himarë, ku ngriti pretendime për mbështetje ndaj Fredi Belerit nga persona të lidhur me një deputet të opozitës.
Sipas tij, kjo tregon një ndryshim mes deklaratave publike dhe veprimeve politike.


