Nga kamerat te gjobitjet, Policia e Fierit shtrëngon kontrollet për këmbësorët që kalojnë rrugët interurbane

Policia Rrugore e Fierit ka nisur kontrolle të intensifikuara në akset interurbane, me fokus respektimin e rregullave nga këmbësorët dhe shmangien e kalimeve të rrezikshme në rrugë.

Monitorimi po kryhet me mbështetjen e mjeteve teknologjike dhe synon rritjen e sigurisë rrugore, duke parandaluar rastet që mund të çojnë në aksidente me pasoja për jetën.

Sipas autoriteteve, rrugët interurbane mbeten ndër zonat me rrezik të lartë për këmbësorët për shkak të shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve dhe karakteristikave të tyre teknike.

Kalimi jashtë mbikalimeve, nënkalimeve apo vendkalimeve të përcaktuara rrit ndjeshëm mundësinë e përplasjeve.

Gjatë kontrolleve, Policia Rrugore po verifikon sjelljen e këmbësorëve dhe në rast shkeljesh do të aplikohen masa administrative sipas përcaktimeve ligjore.

Kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa qytetarëve u kërkohet të përdorin hapësirat e dedikuara për kalimin e rrugës dhe të tregojnë kujdes maksimal.

EMISIONET