“Kosova e shpalli ministren serbe non grata, Tirana hesht”/ Muçi: Spastrimi etnik është krim, pse qeveria shqiptare nuk reagon?
Deklaratat e fundit e ministres serbe, Snezhana Paunoviç për Kosovën kanë sjellë debat në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputeti i “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi, ka kërkuar që qeveria shqiptare të mbajë një qëndrim zyrtar ndaj tyre.
Gjatë fjalës së tij në seancë, Muçi ngriti çështjen e deklaratës së ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila në një intervistë kishte folur për skenarë të spastrimit etnik në Kosovë, si dhe për mbështetjen që sipas tij i është dhënë nga zyrtarë të tjerë serbë.
“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri i Shqipërisë për të reaguar ndaj deklaratave për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët? Deklarata të tilla bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me detyrimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve.”-u shpreh deputeti opozitar.
Muçi solli në vëmendje se Kosova e ka shpallur Paunoviqin person të padëshiruar, ndërsa sipas tij Tirana zyrtare nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim publik.
Deputeti përmendi edhe nenin 8 të Kushtetutës së Shqipërisë, që lidhet me mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve.
Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e mazhorancës lidhur me një rezolutë të propozuar më herët për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë, duke kërkuar më shumë angazhim nga qeveria shqiptare për çështjet që lidhen me Kosovën.
“Nëse nuk mbahet qëndrim ndaj deklaratave për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, atëherë për çfarë do të mbajë qëndrim qeveria shqiptare? Çështjet që prekin shqiptarët jashtë kufijve duhet të marrin një përgjigje të qartë.”-tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Muçi kritikoi edhe komunikimin politik të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se ka reaguar ndaj shumë çështjeve të brendshme, por nuk ka bërë një reagim publik për deklaratat e ardhura nga Serbia.


