Moska rrit gatishmërinë e forcave detare bërthamore

Rusia ka vendosur forcat e saj strategjike detare bërthamore në gjendje të plotë gatishmërie luftarake, deklaroi ndihmësi i presidentit rus Vladimir Putin, Nikolai Patrushev, raporton United24 Media.
Sipas Patrushev, zhvillimi i Marinës ruse dhe programet e ndërtimit të anijeve janë planifikuar deri në vitin 2050 për t’iu përgjigjur sfidave të reja strategjike.
“Të gjitha kërcënimet që burojnë nga kundërshtarët e mundshëm janë marrë në konsideratë në planet për zhvillimin e Marinës, veçanërisht në Strategjinë e Zhvillimit të Marinës deri në vitin 2050.
Vëmendje e veçantë u kushtohet këtyre kërcënimeve edhe në projekt-programin e ndërtimit të anijeve deri në vitin 2050”, deklaroi Patrushev.
Sipas raportimit, Kremlini argumenton se forcat detare ruse mbrojnë interesat kombëtare jo vetëm pranë kufijve të Rusisë, por edhe në rajone të ndryshme të oqeaneve të botës.
Njoftimi vjen pas stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të zhvilluara në muajin maj nga Rusia dhe Bjellorusia, të fokusuara në përdorimin operacional të armëve bërthamore jotstrategjike.
United24 Media kujton gjithashtu se në maj 2026 Rusia vendosi rrjeta mbrojtëse kundër dronëve mbi nëndetëset e saj strategjike me energji bërthamore në bazën detare Rybachiy, në Kamçatka.
Sipas pamjeve satelitore të cituara nga media, strukturat mbrojtëse u instaluan mbi të paktën dy nëndetëse të klasës Borei dhe Borei-A, të pajisura secila me 16 raketa balistike ndërkontinentale Bulava, të cilat konsiderohen pjesë kyçe e aftësisë parandaluese bërthamore të Rusisë.


