VIDEO/ Elhaida Dani: "Notre Damme" në Shqipëri, ky vend e meriton
Kryeministri Edi Rama në episodin e 8-të të tij në Podcast kishte të ftuar këngëtaren e mirënjohur Elhaida Danin, yllin shqiptar që nesër së bashku me kastin e Notre-Dame de Paris zbret në Air Albania Stadium me një spektakël të magjishëm.
Rama tha se për një arsye kret të veçantë, për herë të parë por pas shumë e shumë herësh të ëndërruar dhe tentuar, vjen në Shqipëri një spektakël që ka bërë xhiron e botës dhe nuk ndalon së tërhequri spektatorë.
Kreu i qeverisë tha se të dielën, më 28 maj vjen ijë për herë të parë në Shqipëri, spektakli më i shikuar në Evropë “Notre-Dame De Paris”, që e cilësoi “një fiksim i joni i përbashkët me Elhaidan”.
“Me ftesë të saj unë e kam ndjekur këtë spektakël dhe m’u duk shumë e padrejtë që të mos e shijonin live mijë e mijëra shqiptarë këtu në Shqipëri”, u shpreh Rama.
Në videon e publikuar nga kryeministri, këngëtarja thotë se Shqipëria e meriton të jetë pjesë e vendeve ku ky spektakël mbush arenat dhe kërkohet nga të gjitha moshat dhe kategoritë sociale.
”Notre-Dame de Paris” është një muzikal francez i kënduar i cili debutoi më 16 shtator 1998 në Paris . Ai bazohet në romanin Notre-Dame de Paris nga romancieri francez Victor Hugo
Këngëtarja Dani shprehet se “është diçka që më bën krenare, sepse e meriton ky vend. Është 360 gradë një histori dashurie, hakmarrje, lirie. Kërkon liri. Populli do të dashurohet në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse të ndryshon jetën”.
Elhaida Dani, e cila është në një nga rolet kryesore në këtë shfaqje, apelon që ky spektakël nuk duhet humbur për asnjë arsye në botë.
FLASIM - Bisedë e kryeministrit Edi Rama me Elhaida Danin në vigjilje të spektaklit (musical) Notre-Dame de Paris, i cili do të shfaqet në stadiumin Air Albania, Tiranë, më 28 maj.
Kryeministri Edi Rama: Përsëri Shkodra, përsëri dikush që ka kaluar nga bankat e shkollës Preng Jakova, përsëri një zë i dashur, një emër i njohur, një fytyrë e bukur. Jam këtu me Elhaida Danin.
Elhaida Dani: Përshëndetje!
Kryeministri Edi Rama: Për një arsye krejt të veçantë, për herë të parë por pas shumë e shumë herësh të ëndërruar dhe të tentuar vjen në Shqipëri një spektakël që ka bërë xhiron e botës dhe që nuk ndalon së tërhequri spektatorë dhe ka admiruesit e vet që kthehen dhe rikthehen për ta ndjekur spektaklin Notre-Dame de Paris, në Tiranë në stadiumin Air Albania. Një fiksim i përbashkët mund të them
Elhaida Dani: Vërtete?
Kryeministri Edi Rama: Si vërtetë? Po sa kohë ka që e kemi folur këtë?
Elhaida Dani: Po është e vërtetë, fiksim
Kryeministri Edi Rama: E pra, e vërtete. Një fiksim i përbashkët. Fiksimi jot po një herë, pa diskutim, por dhe fiksim i imi qysh se me ftesë të Elhaides, unë isha në një prej spektakleve dhe mu duk shumë e padrejtë që atë spektakël mos ta shijonin live mijëra e mijëra shqiptarë këtu në Shqipëri dhe qysh atëherë bëmë një pakt që do të luftojmë për ta sjellëspektaklin në Tiranë dhe ja ku jemi në vigjilje të spektaklit me Elhaida Danin.
Elhaida Dani: Edhe një herë, faleminderit shumë që me ftove sot këtu të flas për diçka që unë e kam kaq përzemër, fiksim. Edhe janë ditë shumë emocionuese sepse siç e the është vigjilja dhe për mua është një ëndërr që po realizohet. Dhe nuk ma merrte mendja kurrë, që e shpresoja si çdo ëndërr që kam pasur gjithmonë, por nuk ma merrte mendja që do e realizonim dhe do kishte këtë lloj pritshmërie sepse po marr vërtetë një pritshmëri shumë të madhe, një energji shumë të mirë nga i gjithë publiku shqiptar, kjo po që është një gjë e re, një gjë që nuk e prisja!
Kryeministri Edi Rama: Në fakt, Elhaida ti je një person që qysh e vogël i ndjek dhe i realizon ëndrrat mund të thuhet apo jo?
Elhaida Dani: Absolutisht.
Kryeministri Edi Rama: Por duke qenë se është bërë pak kohë qysh se ti shkëlqeve dhe theve gjithë pritshmëritë, por theve gjithë ekranet e Italisë fqinje dhe ekranet tona që ndiqnim përmes ekraneve italiane me paraqitjen tënde fantastike në Voice of Italy, le të kthehemi pak mbrapa. Kthehemi pak mbara dhe të përpiqemi të gërmojmë pak, aty ku mbase askush nuk ka gërmuar deri më sot. Flas për publikun, duke u nisur nga fëmijëria jote. Ti ishe një vajzë e vetme dhe je një vajzë e vetme apo kanë lindur fëmijë të tjerë prindërit, jo?
Elhaida Dani: Jam e fundit.
Kryeministri Edi Rama: Se nuk i dihet se nga eksperienca ime mund dhe të ndodhë. Pse jo, mos u befaso.
Elhaida Dani: Vazhdoj të jem e vetme, s’më kanë lajmëruar, të paktën.
Kryeministri Edi Rama: Mos u befaso nëse ndodh. Ti faktikisht, po, je pak a shumë në moshën që ishin fëmijët tanë të rritur kur erdhi i treti dhe ti je fëmija i tretë.
Elhaida Dani: Jam vajza e vogël dhe e vetmja e familjes Dani. E babit dhe e mamit. Çfarë të them unë për fëmijërinë time? Vazhdoj të jem siç kam qenë dhe atëherë, jam njeri që jam pak introvers, nuk kam dëshirë që të ndaj shumë energjinë time me njerëzit dhe jam shumë xheloze për atë pjesën time të energjisë, e kam shumë të shenjtë me kë e ndaj, me kë ndaj eksperiencat e mia.
Kryeministri Edi Rama: Po mirë mos kishe ardhur fare atëherë se erdhe me qejf këtu!
Elhaida Dani: Me ty do e ndaj sot me shumë kënaqësi.
Kryeministri Edi Rama: Po mirë, vetëm se nuk jemi vetëm, ki parasysh!
Elhaida Dani: Ka shumë njerëz që na ndjekin, por kjo jam unë, vazhdoj të jem dhe kjo ma ka bërë më të vështirë pak rrugën time, ky karakteri im pak introvers, por kjo nuk më ndalon që ëndrrat dhe dëshirat e mia, siç e the dhe vet, t’i realizoj.
Kryeministri Edi Rama: Unë kam një kujtim shumë të bukur me ty, që ti me siguri nuk e ke dhe s’ke nga ta kesh. Kur ti u bëre Elhaida Dani për në të tjerët se për familjen, për mësuesit, për shokët ishe, ke ardhur në një çfarë ishte një hapje e një gjëje të madhe këtu në Tiranë dhe unë duhet të merrja pjesë aty për arsye të statusit dhe më thonë që është Elhaida Dani aty. Natyrisht, unë e dija se kush ishe ti se në atë moment ishe në momentin e shkëlqimin absolut, por duke pasur parasysh që ti ishe shkodrane, gjë që me probabilitet të bënte më shumë kundër sesa pro meje dhe nga ana tjetër duke pasur gjithmonë një ndrojtje, unë pavarësisht se mund të mos dukem fare si njeri që kam aftësi për të qenë i ndrojtur, por kam një ndrojtje për mos e invaduar hapësirën e dikujt që ka shkëlqimin e vet. Dhe për të mos u dukur dhe për të mos u bërë si përgjithësisht dhe jo për faj të tyre ose jo pa të drejtë njerëzit politikë janë, që përpiqen të marrin sa më shumë nga çfarë ka rreth e rrotull dhe të thithin sa më shumë nga rrezet e të tjerëve, isha pak i tërhequr.
Por në një moment të caktuar na janë kryqëzuar vështrimet dhe aty unë kuptova që ti në fakt ishe gati të më takoje pa asnjë problem dhe madje aty e ndjeva që ti nuk ishe kundër. Atëherë unë erdha edhe ne u takuam. Kështu që e mbaj mend shumë mirë atë moment.
Elhaida Dani: E mbaj mend dhe unë.
Kryeministri Edi Rama: Mirëpo që nga ai moment dhe më pas, ti ke pasur një rrugëtim që ka vazhduar, që do t’i kthehem, por përpara kësaj kam marrë në dosjen tënde në shërbimet informative dhe aty ka një moment që me gojën tënde ti ke thënë dikur që familja jote është familje patriarkale. Ndërkohë që, nga kjo familje patriarkale që normalisht një vajzë edhe me talent duhet te kishte pasur ndrydhjen e peshës së patriarkëve ose të patriarkut dhe të bashkëpunëtoreve të tij vëllezërve, rezulton që ka dalë një baba, i cili ka bërë çdo gjë që vajza të shihet, të admirohet nga gjithë çunat e botës dhe të shkëlqejë, duke i parë të gjithë çunat e botës nga lartë poshtë.
Elhaida Dani: Kjo është e vërtetë. Me një fjalë është nga ndryshimet më të mëdha të jetës time sepse kam lindur në një familje patriarkale, siç janë shumica mund të them, e familjeve shqiptare sot. Dhe prandaj ndoshta kam pasur një karakter kaq të ndrydhur. Nuk flisja, nuk hapesha, nuk tregoja me të vërtet vetveten, duke u rritur sepse nuk e mendoja që opinioni im mund të kishte rëndësi. Dhe është një problem që shumë vajza e kanë sot në Shqipëri, jo vetëm, por flas për vendin tim. Kështu që, më ka ndodhur një ndryshim radikal në jetën time në moshën 19 vjeçare që vendos të iki në Itali sepse babai im, është e vërtetë patriarkal fanatik, këto mbiemra mund t’i jap, por kur kuptoi që unë kisha një talent për muzikën, aty tha “nuk mund ta ndrysh”. Me një fjalë “është e pamundur, është më e fortë sesa ajo vetë. Çfarë të ardhme mund t’i ofroj unë vajzës time që është më e mirë sesa ajo që mund t’i ofrojë vet vetes së vet me talentin e saj. Kështu që, në momentin që unë iki në Itali, jeta ime ndryshon totalisht. Nga dikush që për atë realizoi çdo gjë nga familja e saj dhe vëllezërit e saj, në ato momente çdo vendim i jetës sime duhet të merrej nga unë. Madje, madje të jepja dhe këshilla dhe “urdhra” njerëzve që më rrethonin për të mirën time por unë nuk dija, nuk dija të jepja urdhra. Unë merrja urdhra. Dhe kjo ishte një gjë që më është dashur pak kohë, vazhdoj të më duhet kohë ta kuptoj dhe është një gjë që ndoshta më përpara nuk ishte e lumtur që ishte pjesë e jetës time, por ky dyzim i këtyre dy stileve të jetesës më ka bërë atë që jam sot. E besoj që mund të marr më të mirën e të dyja botëve.
Kryeministri Edi Rama: E di çfarë më ka kujtuar kjo se dua ta ndaja me ty këtë. Më ka kujtuar historinë e gjyshit dhe nënës time. Gjyshi im ishte një personazh shumë i veçantë, por kjo është për një herë tjetër, por ajo që është shumë e çuditshme, duke pasur parasysh kontekstin e kohës ata ishin në Vlorë në Shqipërinë e viteve ’30 dhe ki parasysh mjedisi patjetër, patriarkal e të gjitha. Vajzat shumë shumë larg mundësisë për të qenë të pranuara si djemtë dhe gjyshi im donte patjetër të kishte një vajzë dhe bëri 8 djem përpara sesa të arrinte të bënte vajzën.
E shkreta gjyshja ime kaloi dhe një pjesë të rëndësishme të jetës të saj në rini, duke qenë shtatzëne dhese në atë kohë nuk kishte nga këto ekot që shikojnë çfarë është dhe gjithmonë ajo “çfarë është”, ishte diçka që zbulohej kur nxirrte kokën tjetri apo jo?Ishte vetëm: shty, shty, shty. Do dali, do dali, do dali dhe ai rrinte në dhomën tjetër dhe kur dëgjonte që “doli djalë”, i thoshte gjyshes: s’ke bërë asgjë. Bëhu gati përsëri”. Dhe kur ime më lindi, ai la punën. La punën. Domethënë kishte një agjenci të tijën në portin e Durrësit në doganë dhe ia la dajës së madh, i cili ishte vetëm 15 vjeç të vazhdonte të mbante zyrën hapur dhe të bënte njëkohësisht shkollën tregtare, ndërkohë ky bënte thjeshtë këshilltarin për dajën dhe ndërkohë merrej me rritjen e vajzës së vet.
Dhe për ta mbyllur se është histori e gjatë, por për ta mbyllur ime më shkon me studime në Poloni, ku kuptohet gjërat ishin shumë më ndryshe dhe kthehet me pushime në Vlorë me një fund të shkurtër. Kur zbret në stacionin e autobusëve e priste një nga dajat, i cili direkt, direkt ia jep në shpullë. Ajo vjen dhe kuptohet qëe priste i ati, i cili e sheh që ajo ishte e shqetësuar, por pa i thënë ajo asgjë. Ai e thërret dajën dhe i thotë: Zhduku nga shtëpia dhe ti nuk do rrish këtu deri kur kjo të jetë këtu. Shko ku të duash! Dhe asaj i thotë: Ti shko vish kostumin e banjës siç e ke atje në Poloni dhe ne do të shkojmë të dy në plazh’’. Ishte vajza e parë, që në moshën e rritur shkonte në plazh dhe bënte plazh me kostumin provokativ për jetën këtu, - natyrisht ishte kostum më konservator sesa të gjithë kostumet që janë sot nëpër plazhet e Shqipërisë - bashkë me gjyshin. Për të vazhduar me ty tani, ke hyrë dhe ke dalë nëpër sprovat e para ku nuk ka shkuar vaj që në fillim. Nëse unë nuk gabohem, ke bërë një provë të parë me ‘’Ethet e të premtes’’ dhe aty ke marrë një goditje...
Elhaida Dani: Po, po. Po unë atëherë këndoja, pa e ditur që këndoja faktikisht. Prandaj ishte ajo goditja.
Kryeministri Edi Rama: Por jo, gjëja që më bëri ta kujtoj këtë, ishte sidoqoftë yt atë, nuk të lëshoi, përkundrazi...
Elhaida Dani: Nëse do të flasim për mua, i vetmi person, ndër të vetmit persona që duhet të përmend gjithmonë është babi im. Unë e adhuroj babin tim, meqë ra fjala. Ka një karakter të mrekullueshëm. Është një person që ka ëndërruar në atë kohë, gjëra që kush i ëndërronte, nuk e di... ka realizuar bizneset e tij me vështirësi. Me të vërtetë, vetëm për të realizuar një ëndërr, edhe po nuk pate asnjë gjë, na mësonte gjithmonë në shtëpi që mund të realizosh gjëra. Mund të flasësh, mund të kërkosh, mund të nisesh me zero lekë në xhep, me zero miq, me asnjë lloj shprese, optimizmi nga jashtë, vetëm nëse e do, dhe këtë gjë ma ka dhënë babi faktikisht. Kështu që, këtë gjë unë e adhuroj te babi im dhe në momentin që pa që kam diçka për të cilën dua të “luftoj”, më shtyu, ma dha këtë gjë, ma dha këtë karakterin e tij dhe më tha unë do të të ndjek kudo që të jesh. Dhe mbaj mend më shoqëronte në çdo audicion, nga Shkodra në Tiranë. Priste orë e orë e orë të tëra në makinë që unë të mbaroja audicionet ose unë të mbaroja provat dhe gjendja ekonomike nuk ishte e mirë. Llogarisnim edhe lekët sa do harxhonim benzinën, sa do harxhonim në drekë, sa do haje ti, sa do haja unë që të na dilnin ato lekët për t’u kthyer në shtëpi në darkë, te mami e të vëllai. E këto i ka bërë babi im. Më shoqëronte nëpër audicione nëpër Europë, aty ku pastaj njoha njerëzit që më ftuan të bëj “The Voice of Italy” dhe me makinë, niste makinën një ‘’Golf’’ të vjetër me 15 orë në ditë, duke mos ngrënë sepse do e zinte gjumi pastaj dhe s’do kishte energji të niste makinën gjithë ditën. Babi im është hero. Ndoshta për çdo vajzë...
Kryeministri Edi Rama: E kam parë këtë pjesë, e kam lexuar këtë pjesë që keni bredhur Europën me makinën e tij për të bërë të mundur audicionet e tua dhe tani unë dua të më tregosh një moment në këtë pjesë, sepse unë jam shumë dakord me atë që the, unë e besoj shumë që çdo ëndërr që njeriu e shikon me sy hapur, do të thotë që mund ta realizojë. Domethënë që e ka brenda përderisa e shikon.
Elhaida Dani: Përderisa e ke, ka një arsye pse e ke.
Kryeministri Edi Rama: Ka një arsye pse e sheh atë ëndërr me sy hapur, por sigurisht që nga ti, te ëndrra me sy hapur është një shkretëtirë për t’u kaluar në këmbë me të gjitha vështirësitë, me të gjitha pengesat, me të gjitha të papriturat, me të gjitha rrëzimet e të tjerë dhe jam i bindur që ti ke patur momentet e tua dhe do të doja të ndaje me mua një moment në këtë periudhën përpara se të bëheshe Elhaida Dani që më vjen keq që je ndier në pikën ku s’ke dashur fare të ekzistosh nga stresi dhe dhimbja e rrëzimit.
Elhaida Dani: Të them të drejtën përpara se të bëhesha Elhaida Dani, nuk kam patur momente të tilla. Kur je akoma pa arritur, pa i prekur realizimin e ëndrrave deri në një farë pike, asgjë nuk të duket aq e vështirë sepse ke diçka më të madhe për të cilën të luftosh. Kështu që, nuk të lodhin orët e tepërta në makinë. Nuk të lodhin që atë ditë duhet të kontrollosh sa lek ke në xhep për të ngrënë bukë. Nuk të bëhet vonë që në doganë të kthejnë se nuk ke mjaftueshëm para me vete dhe përndryshe do ishe një emigrante që endej rrugëve të Italisë, kështu që, e dashur, kthehu në shtëpinë tënde. Nuk do e bësh audicionin e Italisë dhe do e riprovosh prap. Asgjë s’të duket mjaft e vështirë sepse ka diçka tjetër më të madhe atje në fund të tunelit, ajo drita që ti do ta arrish se s’bën, sepse ti e di që ka njerëz që do ti tregosh atë gjënë që ke brenda. Është pastaj, pasi e ke arritur, pasi e fitove Voice-n, më në fund ia dole, Voice-n apo çfarëdo lloj gjëje që doje të realizoje. E solle Notre-Dame në Shqipëri. Pastaj, ka një moment që ti ndalon dhe thua “okay”. Çfarë ndjej tani unë? Çfarë realizova në të vërtetë? Çfarë ndryshoi? Çfarë i ndryshova të tjerëve? Çfarë bëra? Me një fjalë, gjithë kjo lodhje, gjithë kjo përpëlitje për...? edhe aty fillojnë me të vërtetë vështirësitë. Aty thua me të vërtetë: “O Zot, nuk dua më’’ sepse qenka gjithmonë një sprovë pas sprove, sepse ti e realizon ëndrrën e parë, por s’do të mjaftojë kurrë. Do të duash diçka tjetër më të madhe, e diçka tjetër më të madhe e aty jeta jote kthehet thjesht në një sfidë. Në një lodhje për fitore. Në një kërkim për fitore për t’i treguar botës që ti vlen akoma sepse nuk je thjesht ajo që fitoi ‘’Voice-n’’, por ti bën edhe këtë, bën edhe këtë, ti sjell edhe Notre-Dame , por unë e di shumë mirë që të dielën, Notre-Dame do të mbarojë. Do jetë një sukses i madh, ndër më të mëdhenjtë për mua dhe tek unë do të ngelet një ditë lumturie dhe pastaj do jetë: “Po tani?!” dhe kjo është sfida më e madhe.
Kryeministri Edi Rama: Kjo është normale sepse çdo fund, sado i lumtur, ka një pikë vdekjeje, ku gjithçka mbaron, por nga ana tjetër, çdo fund, është dhe një fillim edhe fillimi ka gjithë vështirësinë e vetë sepse mbasi arrin një fitore, përballesh me një zbrazëti, që askush nuk e kupton përveç teje dhe me ndenjën e një boshllëku që nuk përshkruhet dot. Dhe e gjithë ajo që ty të rrethon dhe që nga jashtë duket si një privilegj i jashtëzakonshëm sepse je qendra e gjithë vëmendjes së atij suksesi, për ty kthehet në një arsye më shumë për t’u ndier bosh. Por kjo është besoj diçka që e kalojnë të gjithë, kush më shumë e kush më pak, ka pasur dhe ka, jam i bindur, po këto që janë sot, do t’i marrim vesh më vonë, por dimë se çfarë ka ndodhur me njerëz me sukses shumë të madh që pastaj i ka komplet përpirë boshllëku i tyre dhe pastaj nuk kanë mundur më të marrin frymë. Nuk është për t’u shqetësuar sepse nuk besoj se ky është rasti për ty.Ndërkohë, nuk do të tregosh asnjë nga momentet kur ke qenë komplet gati të dorëzohesh sepse mbase nuk i mban mend...
Elhaida Dani: I mbaj mend... . Ka disa. Një ndër momentet që do kisha dashur të dorëzohesha është, nuk e di a e kam thënë ndonjëherë këtë, pas fitores së “Voice of Italy”, kthehem në shtëpi me Riccardon, na bëjnë një pritje të jashtëzakonshme. S’kisha parë ndonjëherë, s’kisha jetuar ndonjëherë, se parë po dhe të nesërmen duhet të kthehesha në Romë ku xhirohej fotot e albumit të ri që do të nxirrja me “Universal music” edhe atë natë, Riccardo dhe bashkëshortja e tij, e cila është menaxherja e tij, më marrin, ishim në një hotel në Tiranë dhe më thonë, ti nesër nuk do shkosh, nuk do i hapësh telefonin “Universal music”. Ata presin photoshooting, por ti do zhdukesh, në të vërtetë nuk e di fare në mund ta them diçka të tillë, por “too late”, sepse në të vërtetë je në menaxhimin e disa personave në të cilët nuk duhet të jesh. Kështu që për të bërë evolucion, për të ndryshuar rrjedhën e gjërave, ti nuk duhet të dukesh nesër sado që ke kontratë, sado që ke dhënë fjalën, sado që një team personash të presin dhe unë kisha një lidhje, jo vetëm profesionale, vazhdoj ta kem sot me Riccardon dhe Kattie, një lidhje shumë personale. Më kanë ndihmuar shumë. Janë bërë si prindër të dytë për mua. Edhe nuk mund t’i ktheja fjalën. Nuk mund ti thoja jo, bëja pyetje, por nuk mund të kisha përgjigje më të mëdha sesa ato që më dhanë, dhe atë ditë jam kthyer në Romë, atë natë, kisha fluturimin në darkë dhe kam kaluar natën, vetëm, në makinë, në Romë. Nuk jam kthyer as në shtëpinë ku jetoja sepse e dija që do të më gjenin atje. Do më kontaktonin. Do vinin të më kërkonin për photoshooting dhe nuk dija as ku të shkoja. Isha e vetme. Kam fjetur në Romë, në makinë, duke pritur ditën dhe duke pritur që telefoni të fillonte të “ziente” sepse njerëzit më kërkonin. Ato momente nuk e kam dashur veten. Familjes sime nuk i kam treguar kurrë diçka të tillë sepse bëheshin në një merak që pastaj duhet t’i qetësoja unë prap. E gjitha kthehej tek unë dhe ishte një ndër momentet më të vështira. Ishte ky.
Kryeministri Edi Rama: Historia e marrëdhënies tënde me Riccardo Cocciante është e njohur sepse është jë histori që ka filluar nga “Voice”, por mbase ja vlen që të thuhet pak më shumë lidhur me atë që e krijoi këtë lidhje, si moment. Cili është momenti sipas teje ku u krijua kjo lidhje me të?
Elhaida Dani: Riccardoma ka thënë para pak ditësh. Ishim në Stamboll dhe po bisedonim pas një shfaqjeje dhe ma tha: “Elhaida, unë nuk besoja kurrë në ty. Jo si artiste, këngëtare, por nuk besoja kurrë që ti mund të fitoje. Mund të fitoje ‘’Voice’’, mund të fitoje zemrat e italianëve apo të atyre që votuan. Për mua ishte diçka, po mirë shohim edhe këtë herë. Me një fjalë, sado që doja që të ishe ti që fitonte dhe ecte përpara, sepse pëlqente talentin tim, nuk e besoja kurrë”. Kështu që, për atë ishte kthyer në një sfidë më tepër. Është një personazh që e do shumë muzikën e tij, artin e tij. Ka shkruar perla dhe e drejtë të jetë e tillë dhe donte, ka një ego shumë të madhe sado që nuk duket, donte që këngëtarja e tij të dilte fituese. Që ai të ishte fituesi i edicionit të parë të ‘’Voice’’ në Itali dhe prandaj, besoj që nga ana e tij ka qenë një sfidë, nga ana ime ka qenë thjesht lidhje me Riccardon ka lindur sepse shoh tek ai, një pjesë të vetes sime.
Është gjithashtu një introvers, një person që ndjenjat, fjalët, mendimet i thotë nëpërmjet muzikës dhe artit të tij dhe këtë e kam parë gjithmonë sikur është një pjesë e imja nuk flasim shumë kur jemi bashkë, por kuptohemi.
Kryeministri Edi Rama: Ti në fakt hyn tek ai grusht njerëzish që kanë dalë nga ky vend dhe që kanë bërë një shërbim shumë të madh për këtë vend, pavarësisht se secili dhe secila prej tyre kanë qenë duke e ndjekur rrugën e ëndrrës së tyre, por janë përputhur të dyja gjërat dhe ti je gjendur në një pikë, ku duke u përpjekur të fitosh një nga konkurset, garat më sfiduese në televizionin italian, njëkohësisht ke bërë një shërbim të jashtëzakonshëm që nuk blihet dot për ta treguar Shqipërinë në sytë e gjithë atyre që kanë ndjekur Voice me fytyrën, me mënyrën e të qenit, me talentin dhe mbi të gjitha me këmbënguljen e një vajze që nuk kishte absolutisht asnjë lidhje me stereotipin e krijuar në kokën e italianëve për shqiptarin. Në këtë aspekt, unë e di shumë mirë që ti nuk e ke menduar këtë asnjë moment kur ke qenë në garë por mendoj se e ke ndjerë në momentet kur nuk ke qenë para kamerave, kur ke qenë në shtëpi, kur ke qenë duke shkuar për atje, kur ke qenë duke u kthyer për atje. Mund ta elaborosh pak këtë pjesën që “Unë këtu po përfaqësoj edhe Shqipërinë që nuk flet dot, Shqipërinë që nuk thotë dot “Unë jam e bukur, unë nuk jam ajo që ju e përshkruani si një kriminel që del në rrugë, që vret, që vjedh, që dhunon e të tjerë”. E ke pasur këtë?
Elhaida Dani: Sigurisht që kur jam nisur për këtë eksperiencë në Itali, nuk ka qenë aspak qëllimi im, të themi të vërtetën.
Kryeministri Edi Rama: Qartë, qartë, këtë e thashë, por flas në procesin kur fillove të ndjesh...
Elhaida Dani: Në momentet e dyta pastaj, kur fillova të kem vëmendjen, ta ndjeja që kam vëmendjen, kur fillova të shoh komente italianësh dhe shqiptarësh që luftonin në komente për “Ccfarë do një shqiptare këtu” ndërkohë që shqiptarët rebeloheshin dhe thonin “Po, është vendi ynë sepse e meriton sepse nëse rregullat e emisionit janë të tilla që ajo është aty, do të thotë që ajo e meriton të jetë aty”. Ka qenë një luftë brenda meje që mendoja “Nuk e meritoj, e meritoj. Nuk jam italiane, jam italiane”. Në fund të ditës, e gjithë kjo lufta në momentin që e kuptova që e meritoj të jem aty, e kuptova që, jo vetëm unë meritoj të jem aty, por ccdo shqiptar që punon fort për një ëndërr, që është i sinqertë, që është i ndershëm, që e bën punën ashtu sicc ne vërtetë dimë ta bëjmë sepse unë kam njohur shqiptarë në botë që investohen tek gjërat që bëjnë në një mënyrë që më bëjnë kaq krenare dhe ka qenë fiks vendi ku unë kam menduar “Po, është e drejtë të marrim gjithë vëmendjen që meritojmë, të marrim pikët që meritojmë sepse ne nuk jemi, ajo që the, vetëm gjërat negative që Italia asokohe kishte dëgjuar për ne.
Mendoj se një nga arsyet pse unë dola triumfuese dhe është absolutisht e vërtetë është sepse shqiptarët kishin nevojë t’i ndryshonin fytyrën vetes në ato vite dhe gjithmonë, edhe sot që flasim. E kemi këtë ndjesinë t’i japim vetes më tepër pikë sesa mund të na shohë Europa apo gjithë bota. Prandaj, shqiptarët më votuan mua, prandaj shqiptarët votojnë në Sanremo, prandaj shqiptarët, sidomos në shtetin italian, mundohen të ndihmojnë shqiptarët e tjerë që të ngrihen që t’i tregojnë italianëve dhe të huajve “Shikoni se jemi më tepër sesa ç’mund të mendoni ju”. Është diçka që vitet e fundit kam filluar ta kem dhe si mision, të them të drejtën. Mbi 70 të huaj do vijnë të Bëjnë Notre-Dame në Shqipëri sot dhe shohin Shqipërinë sot si është Shqipëria, më dërgojnë foto, më shkruajnë, më kontaktojnë dhe më thonë “O zot, I love it here, e dua këtë vend, është shumë bukur, a mund të rrimë më gjatë?”, i tregojnë të tjerëve “Jam në Shqipëri për Notre-Dame” dhe po hapet fjala që Notre-Dame do bëhet në Shqipëri. Është diçka që më bën super krenare sepse e meriton ky vend.
Kam qenë në vende të tjera, pa dashur të ul apo të them asgjë negativ për asnjë vend, por sinqerisht Shqipëria meriton këtë dhe më tepër dhe shqiptarët meritojnë të kenë gjithë emrin e mirë që mund të kenë vërtetë sepse e meritojnë.
Kryeministri Edi Rama: Notre-Dame, që është faktikisht dhe arsyeja pse ti mua ma bërë këtë nder që erdhe këtu sepse po të mos ishte Notre-Dame nuk mendoj se do kishe ardhur të bëje bisedë me mua, që të jem shumë i sinqertë.
Elhaida Dani: Do kisha ardhur me shumë kënaqësi.
Kryeministri Edi Rama: E kuptoj, nuk ka problem. Notre-Dame është një spektakël, i cili ka një jetë shumë të gjatë dhe faktikisht, nuk e di se nuk e kam idenë se nëse do kishte një klasifikim të spektakleve që jetojnë me vite e vite dhe vijnë vërdallë, shkojnë e shihen, rishihen e të tjerë, nuk e di në cilin pozicion do ishte, por është një spektakël me një jetë shumë të gjatë që ka shkuar në sa vende të botës?
Elhaida Dani: Ka shkuar në mbi 20vende të botës, në mos gabohem, përkthyer në 7gjuhë të huaja të ndryshme dhe ka fituar Guiness për ndjekshmërinë nga publiku.
Kryeministri Edi Rama: Ka fituar Guiness?
Elhaida Dani: Ka fituar Guiness, është cilësuar si një nga spektaklet më të ndjekur në botë. Sigurisht që hyn ndër shfaqje e spektakle si Phantom of the Opera, Cats, është në këto nivele të rëndësishme.
Kryeministri Edi Rama: Ato po, por unë flas për Europën. Në Europë unë nuk besoj se ka një spektakël tjetër që ka bërë këtë rrugëtim kaq të gjatë ku, sic të thashë, nuk është se shkon njëherë dhe mbaroi, por rikthehet e rikthehet dhe njerëzit rikthehen e i rikthehen. Domethënë, një spektakël që ka tifozë. Aty ku ne ishim bashkë, sa vjet u bë që jemi...
Elhaida Dani: 4 apo 5 vjet, në Arena di Verona.
Kryeministri Edi Rama: 5 vjet fiks. Aty ku nisi fiksimi, unë kam takuar rastësisht një çift që e shikonin për të shtatën herë.
Elhaida Dani: Këta janë fansat e Notre-Dame.
Kryeministri Edi Rama: Aty kuptova që është një spektakël që ka fansat e vet, pra, që do ta ndjekin si pjesë të jetës së tyre deri kur të jetë vërdallë.
Elhaida Dani: Dhe do ua trashëgojnë fëmijëve të tyre dhe kjo ka ndodhur. Ka 25vjet që Notre- Dame ka lindur, në 97 dhe ka kaluar në gjithë botën dhe ka çifte që atëherë vinin vetëm, vinin çift, vinin me fëmijë të vegjël, sot kthehen fëmijët e tyre ta shohin dhe do ndodhë e njëjta gjë për vite me radhë. Është i vetmi dhe i pari spektakël në Europë që ka bërë diçka të tillë dhe pasi ka lindur Notre-Dame dhe pasi ka treguar që njerëzit mund të dashurojnë një spektakël të tillë në këto nivele, shumë autorë të muzikës franceze dhe jo vetëm kanë filluar të krijojnë musical të tjerë për t’iu afruar kësaj magjie, por Notre-Dame ha bukë më vete le të themi.
Jam e bindur që shqiptarët që do vijnë ta shohin, jo vetëm që do u ndikojë jetën e tyre sot për sot, por jam e bindur që mezi do presin që, nëse do jetë mundësia të rikthehet sërish në Shqipëri Notre-Dame, të vijnë ta shohin sërish dhe nëse nuk do të kthehet sërish në Shqipëri, - që do kthehet, - por nëse nuk rikthehet ata do marrin biletat dhe do ikin në Paris, në Neë York, në Stamboll, London e nuk e di, ku të jetë, por vetëm ta shohin dhe të ndjejnë ato emocione që do ndjejnë të dielën në stadiumin Air Albania.
Kryeministri Edi Rama: Unë mendoja që ka qenë në më se 20vende kam përshtypjen, mbase nuk e ke të saktë numrin e vendeve, por mbase e ke të saktë sepse përtej....
Elhaida Dani: Personalisht, mbi 20 vende po, kam qenë i kam prekur vetë, por ndër vite...
Kryeministri Edi Rama: Mbase është në këto vende në qytete të ndryshme, por nuk ka rëndësi kjo, rëndësi ka që në këto 20, nëse janë 20, nëse janë më shumë se 20, nëse janë më pak se 30, hyn Shqipëria dhe kjo është e jashtëzakonshme sepse unë e di se cfarë kam hequr për ta bërë të mundur këtë bashkë me ty, por ti ke hequr më shumë se unë sepse nuk është e lehtë për ne për të garantuar një spektakël të këtyre përmasave, që është si të sjellësh këtu një fabrikë, nga pikëpamja e gjithë skenave e të tjerë, është një fabrikë që ndërtohet për një natë, por ajo që mbase nuk duhesh të ikësh pa e thënë është pse duhet të vijë një njeri që nuk është një fans i kësaj lloj muzike të shikojë Notre-Dame?
Elhaida Dani: Nëse und ta them vetëm me një fjalë, unë koncertet, shfaqjet, eventet muzikore të tilla i përkthej në eksperienca, është si të lexosh një libër. Kur unë lexoj një libër, një pjesë e imja ka ndryshuar, nuk jam më i njëjti njeri. Koncertet janë e njëjta gjë. Shfaqjet muzikore janë akoma më tepër dhe Notre-Dame mund ta cilësoj akoma më lart në këtë renditje sepse është 360gradë një histori dashurie, hakmarrje, lirie, kërkon liri. Notre-Dame, ti sheh një vajzë 16vjeccare që është Esmeralda dhe që po njeh veten e saj dhe po zbulohet, por në të njëjtën kohë, rrethanat, jeta e përditshme nuk e lejon të rritet, të jetë vetvetja dhe ajo, në atë moshë, lufton për liri dhe është diçka që, sado që flitet për vitet 1482, është aktuale dhe populli, çfarëdolloj niveli, çfarëdolloj shtrese të shoqërisë do të dashurohet në mënyrë të jashtëzakonshme sepse të ndryshon jetën dhe ti do kesh, sicc e thashë më parë, dëshirë ta shohësh herë pas herë për të zbuluar detaje të reja, se herën e parë ta ka marrë vëmendjen magjia e muzikës, herën e dytë skenografia, herën e tretë kostumet, balerinët, këngëtarët. Nuk mbaron asnjëherë. Kështu që, nuk duhet humbur për asnjë arsye në botë.
Kryeministri Edi Rama: Besoj që si dëshmitar i një spektakli mund ta them që, normalisht në të gjitha shfaqjet e artit, që nga muzika simfonike deri tek piktura, mund të thuhet që ka diçka për këdo, por ama, e vërteta është që jo kushdo ka afrimitetin për ta parë atë diçka. Ndërkohë që, tek Notre-Dame jam absolutisht dakord me ty, jo vetëm ka diçka për këdo, por Notre-Dame ia jep kujtdo atë diçka pa e lënë që “Po e kape mirë, po nuk e kape nuk ka problem se unë poshtë do jem”.
Nga pikëpamja e trupës, në gjithë këto vite, a ndryshon trupa apo janë po të njëjtët?
Elhaida Dani: Patjetër që trupa ndryshon sepse bëhet fjalë 25vite jetë të kësaj shfaqjeje. Kështu që, ne jemi trupa origjinale,e vetmja trupë që lëviz në gjithë botën, por për turne në Neë York mund të kemi disa emra të tjerë që i bashkohen Notre-Dame dhe për Paris mund të kemi disa emra të tjerë, por janë gjithmonë dy-tre artistë që mund të ndryshojnë.
Kryeministri Edi Rama: Ti, për shembull, bën Esmeraldën, apo jo?
Elhaida Dani: Unë bëj Esmeraldën.
Kryeministri Edi Rama: Ka një Esmeraldë tjetër që të zëvendëson?
Elhaida Dani: Po, patjetër.
Kryeministri Edi Rama: Sa janë?
Elhaida Dani: Një është, e cila nëse kam probleme, nëse kam nevojë për zëvendësime ose kemi shumë shfaqje gjatë javës dhe duhet të pushoj zërin.
Kryeministri Edi Rama: Pra, nuk është se mund të kesh një Esmeraldë në Neë York që rri e pret atje, një Esmeraldë në Paris?
Elhaida Dani: Patjetër që është jashtë, duke më pritur. Nëse unë nuk e mbaroj intervistën, do vijë ajo ta mbarojë.
Kryeministri Edi Rama: Çfarë është ajo, italiane?
Elhaida Dani: Është kanadeze.
Kryeministri Edi Rama: Në fund, Elhaida, nuk dua të të lë të biesh në atë boshllëkun që folëm por ti gjithë jetën me Notre-Dame do merresh?
Elhaida Dani: Unë nuk mund të merrem gjithë jetën me Notre-Dame sepse dhe vetë fiziku, mosha e gjithë kjo situata nuk ta lejon diçka të tillë sepse luaj rolin e një 16vjeccareje dhe mund të themi që 16vjecce nuk jam më kështu që...
Kryeministri Edi Rama: Mos e thuaj këtë. E para punës sepse, që të unë tani shumë i drejtpërdrejtë, je më mirë seç ke qenë kur të kam takuar para 5 vjetësh, më beso, por më kujtove dikë. Nuk e përmend dot emrin, një koleg dhe një mik në këto majat e jetës politike, i cili për një kohë shumë të gjatë ishte në krye, mirëpo shumë gjatë dhe një ditë e pyes “Më fal, sa do vazhdojë kjo historia jote?”. Ai më thotë “Edi kam bërë një gabim. Në kohën kur unë duhet të mendoja dhe të përgatitesha për ccfarë mund të bëj tjetër, nuk e bëra këtë gjë dhe tani jam në një pikë që nuk kam kohë të bëj një gjë tjetër, kështu që do vazhdoj të bëj këtë punë deri në fund”. Në fakt, nuk është më në atë punë dhe jam kurioz kur ta takoj se ccfarë do bëjë tani.
Elhaida Dani: Nuk është plani im, qëllimi im që të jem Esmeralda dhe për shumë gjatë.
Kryeministri Edi Rama: Këtë librin e ke?
Elhaida Dani: Një sekondë.
Kryeministri Edi Rama: Ta kam dhënë?
Elhaida Dani: Më ke dhënë një libër. Nuk është ky.
Edi Rama: Do të ta jap dhe këtë.
Elhaida Dani: Faleminderit. Sigurisht që nuk është ky plani. Planet janë të tjera, por gjithmonë duhen mbajtur brenda derisa të kem një...
Kryeministri Edi Rama: Nuk do ta thuash...
Elhaida Dani: Ehh...
Kryeministri Edi Rama: Mirë, për një njeri introvert që nuk i ndan me të tjerët gjërat që i çmon dhe për një njeri që është shumë xheloz për veten e tij dhe që nuk jep energji rreth e rrotull po vetëm thith energji, mund të them që ke qenë sot aq bujare sepse realisht unë besoj që, jo vetëm unë, por gjithë ata që na ndjekin, kanë marrë energji nga ty dhe shpresoj që të mos na e marrësh me të keq kur të ndjesh që duhet të rikarikosh bateritë sepse ke dhënë shumë energji sot.
Elhaida Dani: Do e bëj me kënaqësi.
Kryeministri Edi Rama: Të falenderoj shumë Elhaida. Ishte privilegj dhe uroj me gjithë zemër që t’ia marrësh mbrëmjes së dielës, 28 majit t’ia marrësh të gjithë kënaqësinë që ti meriton sepse ke luftuar kaq shumë për 28majin dhe ke rezistuar kaq shumë pa u dorëzuar që gjërat të bëheshin bashkë që Notre-Dame të vinte këtu në Tiranë. Kështu që, marsh nga ky moment çdogjë, por bëj kujdes sepse sa më shumë të marrësh nga ai moment, aq më i madh do jetë boshllëku pas atij momenti.
Elhaida Dani: Këtë e di dhe jam gati ta vuaj.
Kryeministri Edi Rama: Vuajtje të mbarë.
Elhaida Dani: Faleminderit dhe për ty.
Kryeministri Edi Rama: Kjo ishte një pjesë sepse askush, asnjëherë nuk do i marrë vesh të gjitha për Elhaida Danin, por një pjesë e yllit që prej shumë vitesh shkëlqen në skenën botërore dhe që është gati të shkëlqejë më shumë se asnjëherë nesër mbrëma për të gjithë ju.
Kështu që, kush i ka marrë biletat është me fat. Kush nuk i ka marrë akoma, nëse gjen ndonjë biletë, le ta rrëmbejë fatin dhe të mos ta lërë që ta braktisë.