META PRET NGUSHËLLIME PËR BABAIN! Familjarë, miq, politikanë e bashkëpunëtorë pranë ish-Presidentin
Ish-presidenti Ilir Meta doli për herë të dytë nga qelia, pasi u lejua të presë ngushëllime për humbjen e të atit. Mes miqve e bashkëpunëtorëve që i qëndruan pranë, ishte edhe Sali Berisha, që e cilësoi Metën si një të burgosur politik.
Ish-Presidenti Ilir Meta priti ngushëllime për humbjen e të atit në Tiranë, një ditë pasi me leje të posaçme i dha lamtumirën e fundit babait të ndjerë në fshatin e Lindjes së Çepan të Skraparit.
Meta mbërriti në ambientin e caktuar nën masa sigurie, ndërsa pranë ish kreut të shtetit në këtë ditë të vështirë ishin të afërm, figura politike dhe bashkëpunëtorë ndër vite.
Ngushëllime ballë për ballë i përcolli edhe lideri i opozitës, Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili e takoi aleatin politike për herë të parë që pas arrestimit gati 19 muaj më parë.
Kryedemokrati për mediat theksoi qëndrimin se Ilir Meta është një i burgosur politik
Berisha foli për një proces farsë dhe të montuar ndaj ish-Kreut të Shtetit njëherësh president i Partisë së Lirisë.
Presidenti i “Yldon Media Grup”, z. Ylli Ndoqi ngushëlloi ish-Presidentin Ilir Meta për humbjen e njeriut të dashur.
Përfaqësues të medies, biznesit dhe jetës social-ekonomike të vendit po ashtu i shprehen Metës ngushëllimet.
Pasi u lejua t'i bëjë nderimet e fundit të atit, ish-Presidentit Meta iu dha edhe 12 orë leje për të pritur ngushëllime, para se të rikthehet në qelitë e paraburgimit ku qëndron që prej arrestimit në vitin 2024.
Ai përballet me akuza për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash nga SPAK, në një proces që është në fazën e gjykimit në Gjykatën e Posaçme.


