Udhëtimi nga Parisi dhe mesazhi nga Amerika, çfarë “fsheh” rikthimi i vëllezërve Tukiçi në 100-vjetorin e Mjeshtrit të Muzikës Ibrahim Tukiçi

Legjenda e muzikës operistike dhe asaj qytetare shkodrane, Ibrahim Tukiçi, do të përkujtohet si asnjëherë më parë në 100-vjetorin e lindjes së tij.

Në prag të datës 4 qershor, ditës kur mjeshtri i madh do të mbushte një shekull jetë, djemtë e tij, artistët e njohur David dhe Genc Tukiçi, kanë ndarë në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, detaje emocionuese rreth një ceremonie të veçantë që do të mbahet në qytetin e Shkodrës.

Një pllakatë e re përkujtimore do të vendoset në shtëpinë e lindjes së tenorit të shquar, një iniciativë kjo e të tre fëmijëve të tij, e cila ka gjetur mbështetjen e menjëhershme të Bashkisë Shkodër. Për këtë ngjarje historike, Genc Tukiçi ka udhëtuar me urgjencë nga Parisi, duke lënë mënjanë çdo angazhim tjetër për të nderuar kujtimin e babait, ndërkohë që vajza e mjeshtrit, Lela Tukiçi, e cila jeton në New York, u sigurua të ishte e pranishme shpirtërisht përmes një buqete me lule të dërguar enkas për nder të figurës së tij.

Gjatë rrëfimit u zbuluan edhe aspekte magjepsëse nga jeta e hershme e Ibrahim Tukiçit. Me një zë të rrallë brilant të tipit tenor spinto, ai kishte nisur të këndonte jaret dhe këngët popullore shkodrane që në vogëli. Megjithatë, fati i tij mori një kthesë të papritur kur gjatë kohës që duhej të kryente shërbimin ushtarak, u zbulua rastësisht nga mjeshtri Gaqo Avrazi. Ky i fundit, teksa kërkonte talente në Shkodër, dëgjoi zërin e jashtëzakonshëm të Tukiçit dhe e rekrutoi menjëherë duke shmangur shërbimin e zakonshëm ushtarak për të, një lëvizje kjo që do të ndryshonte përgjithmonë historinë e muzikës klasike shqiptare.

PJESË NGA BISEDA NË STUDIO

Udhëtimi nga Parisi dhe mesazhi nga Amerika, çfarë

Moderatorja: Një figurë të shquar të muzikës operistike shqiptare, por edhe të muzikës së lehtë qytetare shkodrane, me mjeshtrin e këngës Ibrahim Tukiçin. Dhe kam kënaqësinë që sonte të kem në studio dy djemtë e tij, David, mirëmbrëma, faleminderit që pranove ftesën dhe kënaqësi të kem edhe zotin Genc Tukiçi. Faleminderit shumë që je në studio.

Genc Tukiçi: Kënaqësi.

Moderatorja: Atëherë, kënaqësia është e imja sepse përkujtojmë babain tuaj, jo thjesht babain tuaj, atin tuaj, por një njeri që i ka dhënë kaq shumë skenës shqiptare. Dhe e kujtojmë pikërisht në 100-vjetorin e lindjes sepse nesër është saktësisht data 4 qershor, kur ai feston 100-vjetorin e lindjes. Në 1926-ën në qytetin e Shkodrës dhe me këtë rast të bukur ju keni përgatitur edhe një ceremonial të shkurtër në shtëpinë e lindjes së tij në Shkodër, ku do të vendoset një pllakatë e bukur për ta kujtuar.

David Tukiçi: Po. Kjo është një rast që përsëritet shumë rrallë, pra 100-vjetori, nuk e di a do e festojmë dot 200-vjetorin, po 100-shin arritëm t'ia festojmë. Dhe ishte një mendim i përbashkët i të tre fëmijëve që ta festonim këtë 100-vjetor, patjetër. Dhe zgjodhëm më të thjeshtën, domethënë që të kërkonim të vëhej një pllakë aty ku ka lindur ai. Edhe vërtet e arritëm atë dhe faleminderit Bashkisë Shkodër që e ka vendosur gjë, është vendosur pllaka aty dhe nesër do të shkojmë neve me Gencin do nisemi herët në Shkodër për të bërë një ceremoni të vogël dhe për të folur dy tre fjalë rreth babait tashmë që është një figurë kombëtare dhe që njihet pra.

Moderatorja: Genci ti ke ardhur apostafat nga jashtë?

Genc Tukiçi: Ekzakt, kam ardh sot në drekë nga Parisi sepse ishte një ide me u ba me WhatsApp, po edhe i sistemit juji, por edhe i Davidit që tha 100-vjetori tha është një herë, domethënë vendosa po të vij edhe e kam nder dhe kënaqësi që jam sonte edhe me fol për babën.

Moderatorja: Tani jo vetëm që keni ardhur për të folur për babain tuaj, për mjeshtrin e madh, po ju falenderoj shumë edhe për këto lule të mrekullueshme që më keni sjellë... të mrekullueshme, nuk kam fjalë tjetër, ju falenderoj shumë.

Genc Tukiçi: Është kënaqësia jonë, kjo është me porosinë e motrës time që është në New York dhe nuk mundi me ardhë.

Moderatorja: Nga Lela, Lela. Do të kishim dashur ta kishim edhe Lelën për të biseduar sonte për babain. Atëherë, në këtë 100-vjetor çfarë do të kujtojmë nga Ibrahim Tukiçi? Mjeshtrin e muzikës klasike apo mjeshtrin e këngës qytetare dhe popullore shkodrane? Ai i këndonte të dyja me të njëjtin pasion.

David Tukiçi: Po, e vërtetë. Ai ka lindur me një talent të jashtëzakonshëm, me një zë brilant do të thoja, një tenor spinto, dhe ka lindur pra me këngën popullore në buzë. Ai qysh se ka lindur, ka kënduar gjithë kohën e tij, në rininë e tij këngën popullore shkodrane, jaret shkodrane, dhe shumë këngë të bukura që i ka Shkodra. Por pastaj gjatë, në rininë e tij, në kohën që do shkonte ushtar, Mjeshtri Gaqo Avrazi duke kaluar në Shkodër, duke kërkuar talente atje, dëgjon një zë të bukur dhe thotë "më duhet ky tenor", se zëri i tenorit është një nga zërat më të rrallë. Ka shumë baritone, po tenora ka pak, bas-baritona ka më shumë. Dhe ushtrinë ai nuk e bëri pra siç do ta bënte normalisht...

PËR MË SHUMË NDIQNI DISKUTIMET NË EMISIONIN “ORA E BETIT” NË “ORA NEWS”

EMISIONET